Telegrafi

Amazon ndryshon logon e aplikacionit që ‘i ngjante’ Adolf Hitlerit

Amazon ka ndryshuar logon e saj të aplikacionit, pasi klientët thanë se ridizajnimi i fundit e ka bërë të duket si figura e Adolf Hitlerit.

E publikuar në janar, ikona përmbante një shirit të kaltër mbi “buzëqeshjen” e Amazonit. Mirëpo, disa konsumatorë thanë se kjo i ngjante mustaqeve të diktatorit nazist Adolf Hitler.

Gjiganti i shitjeve online tani e ka ndryshuar logon me një shirit të kaltër të palosur, përcjell Telegrafi.

Dizajni i ri duket se bazohet në një hapësirë ngjyrë kafe, me “buzëqeshjen” e kompanisë dhe shiritin e kaltër.

“Ne krijuam ikonën e re që paraqet gëzim në momentin kur klientët fillojnë blerjet nga telefoni i tyre, ashtu sikurse i shohin porositë tona të ardhura në shtëpitë e tyre”, ka njoftuar Amazon.

Pamja e Hitlerit është aq e njohur sa shumë njerëz pretendojnë se atë e “shohin” nëpër vende të ndryshme.

Në vitin 2011, një imazh i shfaqur në një shtëpi në Swansea, u bë virale pasi i ngjante diktatorit.

Disa vjet më vonë, një burrë ishte “tmerruar” kur pa se fotoja e tij e re në pasaportë i ngjante Hitlerit. /Telegrafi/