Zëvendësministri i jashtëm grek, Ioannis Amanatidis, i ka dërguar porosi të qartë Maqedonisë që Greqia nuk do ta pranojë vetëm emrin kushtetues si zgjidhje për kontestin me emrin. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Agimit të artë, Ilias Panagiotaros, i cili e akuzon qeverinë greke se dëshiron të bëj tradhti dhe të heq dorë nga emri Maqedoni në dobi të vendit tonë, Amanatidis theksoi se zgjidhja do të jetë me kompromis dhe për përdorim të përgjithshëm dhe e ftoi qeverinë e Maqedonisë që përfundimisht tu qaset negociatave me seriozitet, transmeton Telegrafi Maqedoni.
– Që të mundësohet zgjidhje për emrin, duhet që fqinjët tanë të kenë qasje realiste dhe pragmatike dhe të shfaqin aftësi për kompromise të denja. Zgjidhje me emrin e tyre kushtetues nuk ekziston. Insistojmë në nevojën për një zgjidhje të pranueshme reciproke për përdorim të përgjithshëm – theksoi Amanatidis, i cili vjen nga radhët e SYRIZA.
– Kontesti për emrin është problem i përmasave rajonale dhe ndërkombëtare dhe me siguri nuk mund të zgjidhet me aspirata irredentiste dhe të udhëhequra nga falsifikimi i historisë dhe përvetësimi i trashëgimisë kombëtare, historike dhe kulturore, theksoi Amanatidis, duke shtuar që edhe vetë ministri për punë të jashtme, Nikos Kotzias, gjatë vizitës së tij në Shkup e ka ngritur çështjen për ndalim të irredentizmit nga autoritetet e Maqedonisë.
Në vërejtjen e Amanatidis se Greqia merr pjesë me realizëm dhe me qasje konstruktive në negociata dhe e respekton procesin e negociatave në Kombet e bashkuara, Panagiotaros e sulmoi Maqedoninë, duke komentuar se autoritetet e Maqedonisë, aspak nuk i respektojnë negociatat./Telegrafi/