Site icon Telegrafi

Alush Seferi për 28 vite shërbeu si pajtues i gjaqeve (Video)

Alush Seferi

75 vjeçari Alush Seferi, nga Kleçka e Lipjanit, përgjatë 28 viteve ka qenë pajtues i gjaqeve në këtë rajon dhe më gjerë.

Ai ka thënë se këtë e ka të trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij.

“Babgjyshi ka pajtuar, por më shumë ka luftuar. Baba, që e mbaj në mend mirë, ka pajtuar 200 gjaqe e aq ngatërresa. Ka pasur edhe vrasje edhe mbytje me sakica. Por ka pasur edhe rrahje, tani ka ardhur pajtimi. Unë kam pajtuar në kohën e Anton Çetës sepse baba ma nuk mundte”, tregon për RTV Dukagjinin Alush Seferi.

Ai hap pas hapi ka ndjekur babën e tij nëpër oda  ku fjala e pleqnarëve, shprehte më së miri bukurinë dhe rëndësinë e besës shqiptare.

Dikur, kur fjalët bjeshkë të burrave të cilët me mençurinë e tyre hapnin dyert e mbyllura, nga plumbi i hakmarrjes.

“Një rast e kemi pasur në Magure,  24 orë kemi qëndruar dhe mezi i kemi pajtuar. Një rast tjetër në Ribar, 24 orë kemi qëndruar por nuk arritëm të mbarojmë punë pa ardhur edhe një person tjetër… ”, tregon i moshuari.

Sipas Alush Seferit, duhet të kesh urtësi dhe të jesh i drejtë, që të marrësh guximin për ta bërë pajtimin e gjaqeve. Ai sot  është krenar për historinë e familjes së tij, të cilët brez pas brezi shërbyen në të mirë të vendit.

“Plaku i gjaqeve duhet me qenë se pari i butë. Ke fjalë të egra, ke gjakra të nxehtë aty. Duhet të shkosh rrafsh e jo të nxehesh edhe ti aty. Edhe sa ke mundësi me diturinë tënde të mbash drejtësi sa të mundesh. Tash nuk po merremi me pajtime. Shyqyr Zotit e kemi drejtësinë tonë e policinë tonë”, thotë Seferi.

“Pleqëria nuk bëhet me fjalë, ajo bëhet me zemër sikur në shtëpinë tënde”, ishin pëshpëritjet e këtij plaku të urtë e fjalë pak. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

 

Exit mobile version