Marrëveshja e parë dhe e vetmja që u arrit sapo u formua koalicioni VMRO-BDI ishte që BDI-ja të pranonte moratoriumin dyvjeçar dhe fare mos të ngriste zërin për çështjet që i tangojnë shqiptarët. “Ne e mbajmë fjalën” – sllogani i BDI-së
Miku im, regjisor, Kastriot Çipi, siç e ka falur Zoti plotë humor, kur vinte në Shkup për të bërë ndonjë shfaqje, zëdhënësat e qeverisë i quante “dërzhaven autoparlant”! Është për keqardhje kur ky “autoparlant” qëllon i ndryshkur e kur në vend të zërit të qartë lëshon kuisje! Për këto vite politike Qeveria e Maqedonisë ka pasur lloj-lloj zëdhënësash, fatkeqësisht, asnjë profesionist! Ky profesion bën pjesë në atë grup profesionesh që llogariten si më të vështirat.
Rruga e zëdhënësit është si tehu i shpatës dhe jo fushë ku mund të kullotet e të bëhet bajga me lezet! Zëdhënësat e qeverisë maqedonase gjithnjë janë marrur me politikë, nuk kanë informuar por kanë bërë politikë, nuk kanë folur në emër të qeverisë por në emër të liderit partiak, në emër të deputetëve, në emër të ministrave dhe, për më keq, në emër personal, duke u përpjekur të shesin dushk për gogla.
Koha e kuisjeve të shurdhëta
“Dërzhavni autoparlanti” i ndryshkur, për shembull, mund të dalë në opinion për inat të qëndrimeve kombëtare të partisë opozitare dhe të flasë kuturu, apo të ofrojë informacione shpekulative e skandaloze. Duke e sulmuar opozitën, ky farë autoparlanti i ndryshkur harron se e mbron qëndrimin e qeverisë ku në cilësinë e vasalit vegjeton edhe partia e tij e cila e ka propozuar për zëdhënës qeveritar.
Është e rëndë dhe e turpshme që të artikulohen dhe të plasohen të gjitha informacionet por edhe qëndrimet e qeverisë, sepse, në rastin konkret, ato janë shumë të disfavorshme për shqiptarët e vendit. Së këndejmi, për t’i ikur kësaj detyre parësore, autoparlanti i ndryshkur do të nis të hedhë dru e gurë mbi partinë shqiptare oponente. Motiv për këtë sulm foshnjërak është nevoja për ta “heshtur” tërë këtë padrejtësi, këtë diskriminim, këtë shkelje të dinjitetit kombëtar shqiptar, këtë mohim të qenies shqiptare që po e ushtron fuqishëm Qeveria e Nikolla Gruevskit.
Autoparlanti i ndryshkur jep shenja kërcënuese duke u munduar ta hesht opozitën punë e së cilës është që të merret me qeverinë dhe me kukullat e saj. Këto ditë autoparlanti i ndryshkur botoi një dokument me të cilin insistonte të tregojë se fajtor për ndërtimin e kishës në qendër të Shkupit na paska qenë ish-ministri i kulturës Arifikmet Xhemaili, dhe se për sigurimin e buxhetit për këtë gjë paska qenë e obliguar Ministria e Kulturës.
E para, ish-ministri vë bast kokën e vet që nuk e ka nënshkruar atë leje (po ky farë autoparlanti a mund të argumentojë të kundërtën duke e lënë bast kokën e vet?!), sepse, kur është nënshkruar nga zëvendësministri ai ka qenë me leje mjeku! E dyta, zëdhënësi i qeverisë duhet ta dijë fare mirë se buxhet nuk sigurojnë ministritë por atë nëpër ministri e derdh qeveria!
Se sa mërzitet Gruevski kur janë në pyetje interesat e veta të sëmura por edhe nacionaliste, kjo më së miri u tregua këto ditë kur fare pa pyetur asnjë deputet të BDI-së, asnjë ministër shqiptar dhe as zëvendësin e vet por as z. Ali Ahmetin, bleu armatim më të sofistikuar rus tejet efikas në luftë kundër “terroristëve dhe guerilëve”!
Për këtë askush nuk e fajësoi BDI-në, e cila edhe e pranoi se fare nuk është pyetur për një armatim të tillë! Megjithatë, nuk është kohë shumë e largët kur ndodhi leja e kishës. Opinionit shqiptar i kujtohet fare mirë se për këtë tradhëti alla-gruevskiane PDSH-ja qëndrimin në qeveri e kushtëzoi me lejen për ndërtimin e xhamisë së vjetër në qendër të Tetovës, për ç’gjë dhe nga buxheti i shtetit u ndanë mjete finansiare si dhe u obligua që Ministria e Kulturës të jetë bartëse e këtij projekti. Pushteti lokal i Tetovës, që atëbotë kontrollohej nga partia e autoparlantit të ndryshkur, BDI-së, në vend se të lejojë ndërtimin e kësaj xhamie dha leje për ndërtimin e një kishe!
Koha e lulëzimit të kulturës
Sido qoftë, le të supozojmë se ky gaf paska qenë i z. Xhemailit! Po ky ish-ministër a korri sukses në realizimin e objektivave të Partisë Demokratike Shqiptare deri sa ishte në Qeveri me VMRO-në? Natyrisht, plot! Gjurmë kombëtare të pashlyeshme e të pamohueshme nga askush! Për herë të parë në historinë e këtij nënqielli nisi të realizohet platforma kombëtare e prfshirë në programin e PDSH-së për sa i përket institucionalizimit të jetës kulturore shqiptare.
U themelua Instituti për trashëgimi kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoni, me pesë sektore brenda, për të cilat ekzistonte strategjia që shumë shpejt të ngriteshin në institute të veçanta.
U themelua Institucioni Nacional “Teatri i Tetovës”!
U themelua Institucioni Nacional “Galeria e Tetovës”!
U themelua Institucioni Nacional “Qendra për konservim në Gostivar”.
U themelua Festivali ndërkombëtar i teatrove “Shkupi Fest”, pastaj, “Ditët e kulturës shqiptare”.
Në të gjitha këto institucione e manifestime pati të punësuar shqiptarë. Si asnjëherë më parë buxheti i aktivitetete kulturore shqiptare ishte në nivelin e kënaqshëm. U bë punësimi me vendim i mbi 150 shqiptarëve nëpër Institucione kulturore dhe në Ministrinë e Kulturës.
Sikur të flisnim këtu edhe për shumë aktivitete kulturore shqiptare që u shtrinë edhe nëpër ato institucione e hapësira që llogariteshin si të pamposhtura nga artistët shqiptarë; sikur të flisnim këtu për prezantimin e kulturës shqiptare gjithkund nëpër botë ku organizoheshin aktivitete kulturore nga Maqedonia; sikur ta nënvizonim këtu shtimin e buxhetit si dhe përkrahjen e parezervë për zhvillimin dhe avansimin e jetës amatore kulturore në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë që u arrit për 18 muaj të qeverisjes së PDSH-së; sikur të flitej këtu edhe për sikletin e tmerrshëm të Gruevskit kur u ballafaqua me kërkesën e prerë “ose institucionalizim të plotë të jetës kulturore shqiptare ose prishje të koalicionit qeveritar”, atëherë, pa dyshim do të na duhej një bilten kulturor prej dhjetra faqesh!
Koha e injorimit të kulturës
Nejse, është kohë e shkuar dhe nuk u intereson kjo shqiptarëve! Po i interesuaka vetëm puna e kishës! Shqiptarëve u intereson gjithçka, si për dje ashtu edhe për sot, por, ja që për të sotmen, “drzhavni autoparlanti” nuk funksionon si duhet për shkak se është ndryshkur në pritje të përfundimit të moratoriumit politik mbi çështjet shqiptare në Maqedoni!
Nuk duhet harruar, marrëveshja e parë dhe e vetmja që u arrit sapo u formua koalicioni VMRO-BDI ishte që BDI-ja të pranonte moratoriumin dyvjeçar dhe fare mos të ngriste zërin për çështjet që i tangojnë shqiptarët. “Ne e mbajmë fjalën” – sllogani i BDI-së! A kanë dëgjuar shqiptarët gjë nga zëdhënësi qeveritar për mohimin sistematik të qenies dhe të çdo gjëje shqiptare që po ua bën Gruevski për këtë një vit e ca sa janë në “bashkëqeverisje”? Këtu pra ekzistojnë arsyet se pse BDI-ja hesht për një dyzinë diskriminimesh që i bëhen shqiptarëve.
Pse nuk thuhet asgjë për degradimin e Institucionit për trashëgimi kulturore, të cilit iu ndërrua emri, koncepti dhe krejt në fund u hodh në rrugë! Paramendoni se çka do të bënin maqedonasit sikur të kërkohej që Instituti përkatës maqedonas të dilte nga godina e vet!
Pse nuk thuhet asgjë për degradimin dhe censurimin e repertoarit të teatrove shqiptarë në ved, për zvogëlimin e buxhetit të tyre!
Pse nuk thuhet asgjë se si degradohet Qendra për konservim në Gostivar, duke u lënë në fatin e mëshirës, pa të punësuar e pa drejtorë (shkilen të gjitha ligjet dhe në vend të drejtorit të shkarkuar, ushtrues detyre sillet njeri nga jasht!)
Pse asgjë nuk thuhet për ngulfatjen e jetës amatore kulturore të shqiptarëve të vendit (këto ditë Ansambli Ibe Palikuqi u nxor me dhunë në rrugë nga objekti ku me decenie funskiononte).
Pse asgjë nuk thuhet për mospjesëmarrjen e shqiptarëve nëpër aktivitete kulturore javore të cilat shteti i organizon nëpër qendra të ndryshme botërore (në Nju Jork, në Paris, në Veneci, në Pragë, në Bruksel etj.) A frymon në këtë shtet edhe ndonjë kulturë tjetër apo vetëm kultura e diskutueshme maqedonase!
Pse asgjë nuk thuhet për degradimin e nëpunësve shqiptarë në Ministrinë e Kulturës, të cilët, fillimisht u lanë pa kurrfare të drejte ligjore të rrinë në shtëpi nja 7-8 muaj e pastaj të tubohen si dhentë e hutuar në një hapësirë larg aktiviteteve ditore. Kur do të mësohen ata me punët administrative që një ditë të jenë të aftë të udhëheqin njësi e sektore.
Pse asgjë nuk thuhet për degradimin total të nëpunësve shqiptarë në Ministrinë e Kulturës, pse nuk thuhet asgjë për atë se si kjo Ministri është e vetmja e cila nuk ka sekretar shtetëror! Arsyea është se ky vend i takon shqiptarit por ja që BDI-së nuk i intereson ky post, i cili, për shqiptarët në këtë Ministri do të dukej, megjithatë, si një ministër paralel duke ia vënë frenat ministreshës aktuale e cila është për vdekje alergjike nga kultura shqiptare.
Pse nuk ngriten iniciativa për t’u finansuar edhe skulptura dhe përmendore shqiptare, për t’u ndërtuar ndonjë muze kombëtar, ndonjë qendër kulturore shqiptare.
O pash besën, hë të dëgjojmë ndonjë fjalë për injorimin total që i bëhet gjuhës shqipe nga kjo qeveri e Gruevskit dhe Ahmetit.
Loja e ligë
Loja që po bëhet me kishën dhe ku po dëshirojnë t’i fusin shqiptarët e Maqedonisë është lojë shumë e ligë. Justifikimi i shkeljes së dinjitetit të shqiptarëve, mohimi i kulturës së shqiptarëve, do të arsyetohet varësisht se sa shqiptarët do të pranojnë të futen në këtë film!
Refuzimi i kishës dhe insistimi vetëmohues që të ndërtohet edhe xhamija nuk është dhe nuk ka qenë kurrë interes kombëtar i shqiptarëve! Shqiptarët e mirëfilltë kanë etja për një protestë, për një kërkesë masive, për një demonstratë paqësore për t’i artikuluar nevojat e veta për avansim kulturor në vend. Dikush qëllimisht po e çon ujin në mulli të huaj.
Për këtë duhet të flasë autoparlanti i ndryshkur! Faktet nuk mund të heshten me teket e dikujt për moratorium mbi çështjet shqiptare në vend. Tenxheres që vlon duhet t’i hiqet kapaku!