Legjenda italiane e futbollit, Alessandro ‘Spillo’ Altobelli, beson se në rast që akordohet penallti për Azzurrët në ndeshjen e ardhshme, Jorginho do të ikë dhe do të fshihet në zhveshtore.
Italia është mysafirë e Irlandës së Veriut në Windsor Park në Belfast të hënën dhe ka nevojë për fitore, pasi që luajti baras kundër Zvicrës (1-1) derisa mesfushori i Chelseat dështoi të shënonte nga penalltia në minutat shtesë.
Ishte penalltia e tretë radhazi që Jorginho dështoi ta shënonte për ekipin përfaqësues (duke i përfshirë edhe humbjen e penalltisë gjatë njëmbëdhjetëmetërshave në finalen e ‘Euro 2020’).
“Në këpucët e tij, pasi i ka humbur dy, nuk do ta merrja përgjegjësinë për të tretin”, ka thënë për La Repubblica, fituesi i Kupës së Botës nga viti 1982.
“Ai dështoi në finale të ‘Euro 2020’, nuk shënoi në ndeshjen e parë ndaj Zvicrës. E pashë fytyrën e tij para se ta bënte ekzekutimin, ishte i bardhë zi një çarçaf. Vërehej se ishte në ankth”.
“Ekzekutimi i një penalltie nuk është aspak i lehtë saqë mendoni. Një kampion e ndjen dhe nëse nuk e ndjen, atëherë duhet ta ketë guximin që të lëshojë vend dhe t’ia lë topin një bashkëlojtari”, ka shtuar Altobelli.
Ai është pyetur se çfarë do të duhej të bënte Jorginho, në rast se akordohet penallti për Italinë kundër Irlandës së Veriut.
“Mendoj se ai do të ikte dhe do të fshihej në zhveshtore. Nuk pres që ta ekzekutojë. Ndoshta nëse rezultati është 3-0, do të ishte një mundësi që ta tejkalonte këtë fazë negative”, ka shtuar legjenda. /Telegrafi/