Site icon Telegrafi

Krasniqi viziton Shoqatën e të Burgosurve Politikë, merr mbështetje nga Selatin Novosella për kanditaturën e tij

Altin Krasniqi, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka vizituar Shoqatën e të Burgosurve Politikë, ku u takua me Selatin Novosellën, një nga figurat më të shquara të rezistencës kombëtare dhe ish-i burgosur politik.

Gjatë këtij takimi, Novosella i ofroi mbështetje për kandidaturën e Krasniqit, një përkrahje që ai e vlerësoi shumë.

Krasniqi theksoi se mbështetja e Novosellës është një ndihmë e çmuar për të realizuar objektivat e tij për një Kosovë më të mirë dhe të drejtë.

Ai gjithashtu përmendi sakrificën e babait të tij, Jakup Krasniqi, dhe të tjerëve, duke thënë se “Babai im, Jakup Krasniqi, ashtu si Baci Selatini dhe shumë të tjerë, ka kaluar më shumë se 10 vite në burgjet jugosllave për idealin e lirisë.”

Krasniqi po ashtu shprehu shqetësimin për padrejtësinë që po përballet babai i tij pas katër vitesh, ku ai, si çlirimtar dhe luftëtar i lirisë, po akuzohet për veprime të padrejta. Ai theksoi se, pavarësisht vuajtjeve, ai dhe shokët e tij vazhdojnë të mbrojnë luftën e drejtë të popullit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi gjithashtu nderoi figurën e Adem Demaçit, duke e quajtur atë simbol të palëkundur të rezistencës kombëtare. /Telegrafi/

 

Exit mobile version