Site icon Telegrafi

Alternativa: Nuk duhen zgjedhje, është viti i ndryshimeve kushtetuese

Partia Alternativa nëpërmjet një kumtese thotë se këtë vit të gjitha kapacitetet politike dhe shtetërore duhet të përqendrohen në realizimin e obligimit të marrë me ‘propozimin francez’ për ndryshimin e Kushtetutës.

Nga Alternativa thonë se fillimi i bisedimeve përmbajtësore me BE-në nënkupton dinamikë më intensive të reformave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.

“Alternativa është e përkushtuar që, përveç përmbushjes së obligimit për njohjen e pakicës bullgare dhe zëvendësimit të përkufizimit “gjuha që flasin mbi 20% e popullsisë” me “gjuhën shqipe”, në këtë proces të bëhet edhe një hap i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit politik. Prandaj, kemi propozuar amendament kushtetues për sanksionimin e korrupsionit në nivel të lartë, për të cilin po kërkojmë mbështetje nga faktorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë. Përveç ndryshimeve kushtetuese, na pret shumë punë gjatë këtij viti”.

“Vendi po e menaxhon me sukses krizën energjetike, duke siguruar furnizim të pandërprerë dhe duke mos lejuar shtrenjtimin enorm të energjisë elektrike, që ishte një tjetër përcaktim i yni i rëndësishëm në marrëveshjen për bashkëqeverisje. Po përpiqemi të arrijmë marrëveshjen për Qendrën e re Klinike, me një model unik financimi të propozuar nga Ministri ynë i Shëndetësisë. Jemi të përkushtuar për reformim të administratës publike dhe digjitalizim të shërbimeve publike, duke lehtësuar procedurat për qytetarët”, thonë nga Alternativa.

Në fund shtojnë se viti 2023 është vit i ndryshimeve kushtetuese dhe i punëve dhe projekteve serioze./Telegrafi/

Exit mobile version