Dega e Alternativës në Gjakovë përmes një kumtese për media ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjakovës është duke keqpërdorur votat e asamblistëve për shfuqizimin e interesit të veçantë për pronat rreth Kullës Sulejman Vokshit.
“Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal në Gjakovë, nga kryesuesi Anton Shala dhe sekretaria e Kuvendit janë keqpërdorur votat e asamblistëve të Komunës së Gjakovës në lidhje me shfuqizimin e interesit të veçantë për pronat rreth Kullës Sulejman Vokshit në Gjakovë. Zyrtarisht Kuvendi Komunal në Gjakovë, ka numëruar qëllimisht gabim votat e Asamblistëve për çështjen e Kullës Sylejman Vokshit”, thuhet në reagim.
Sipas Alternativës, për shfuqizimin e vendimit për interesin e veçantë për pronat rreth kullës kanë votuar:
Për:
AAK – 8
PDK – 4
PSHDK – 3
Gjithsej 15 vota
Kundër:
ALTERNATIVA – 6
VV – 4
LDK – 3
NISMA – 3
Gjithsej 16 vota
Abstenim:
Shpend Kumnova ( Asamblist i pavarur) – 1
Përderisa nga kryesuesi dhe sekretaria e kuvendit janë numëruar 15 vota për, 14 kundër dhe 1 abstenim.
“Nga e gjithë kjo edhe përkundër reagimit të asamblistëve dhe konfirmimit në foltore të vullnetit të tyre, Kryesuesi Anton Shala në mënyrë të qëllimshme as që e ka marrë për bazë këtë çështje, duke keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe duke ndikuar që me çdo kusht të realizoj propozimin e kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini”, thuhet në kumtesën për media të partisë së ish-kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilës.
Sipas tyre, nëse sekretaria e Kuvendit Komunal nuk e përmirëson gabimin , atëherë zyrtarisht ankesa do i adresohet MAPL-së.