Sportistja elitare dhe alpinistja, Beatriz Flamini është larguar këtë të premte nga shpella në të cilën ka qëndruar për 500 ditë në një thellësi prej 70 metrash, duke përmbushur kështu sfidën personale, të cilën ajo e ka përkufizuar si “të shkëlqyer”.
Me ndihmën e anëtarëve të “Motril Speleological Activities Group” të qytetit bregdetar të Granadës ku ndodhet shpella, Flamini – me syze dielli për të mbrojtur sytë dhe buzëqeshje – doli nga streha e nëndheshme që ka qenë shtëpia e saj për më shumë se gjashtëmbëdhjetë muaj, ku ka thyer edhe një rekord botëror, transmeton Telegrafi.
Në orët e para të mëngjesit, dy ekspertë të shpellave dhe një psikolog zbritën në vendin ku po qëndronte ajo për ta ndihmuar që të dilte jashtë, e cila procedurë zgjati rreth 40 minuta, raportojnë mediat spanjolle.
Jashtë shpellës, përveç personave të përfshirë në projekt, ajo pritej edhe prej miqve që ishin veshur me maskë për të mbrojtur shëndetin e tyre ndërsa Flamini, e cila hyri si 48-vjeçare dhe u largua në të 50-tat, deklaroi se i do “shumë” dhe se ndihet “shumë mirënjohëse”.
INSUPERABLE
Así es cómo ha calificado la experiencia Beatriz Flamini tras 500 días aislada en una cueva #LaHora14A
⭕️https://t.co/fDEwRci48i pic.twitter.com/WSlQP1ETff
— La 1 (@La1_tve) April 14, 2023
Ajo ka falënderuar edhe profesionalizmin e grupit të psikologëve, ekspertëve të shpellave dhe trajnerëve fizikë të përfshirë në projekt sepse pa ta, tha ajo, nuk do të ishte e mundur.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo ka lënë video-regjistrimet në një zonë të shpellës, ku merrte edhe ushqimin dhe hidhte mbeturinat pa komunikuar me njerëzit.
Kjo eksperiencë ishte pjesë e projektit “Timecave”, i cili filloi dy vjet më parë, kur kjo e apasionuar pas ngjitjes në majat më të larta në botë, kërkoi ta sfidonte vetveten me qëndrimin në një shpellë për 500 ditë.
Producentja Dokumalia ka regjistruar jetën e saj të përditshme shtatëdhjetë metra nën tokë, të cilën grupe kërkimore nga universitetet e Granadës dhe Almerisë e kanë ndjekur nga afër për të studiuar se si izolimi social dhe çorientimi ekstrem i përkohshëm ndikojnë në perceptimin e kohës, si dhe ndryshimet neuropsikologjike që sjell kjo sfidë e jashtëzakonshme përballë vetmisë, mungesës së dritës natyrore dhe izolimit social. /Telegrafi/