Telegrafi

Alpinistët alarmojnë për prerje masive të drunjve në Malin Sharr, edhe përkundër paralajmërimeve për t’u bërë park kombëtar

Qindra metra kub drunj të deponuar, trungje të prera, vise të shkatërruara malore për t’u depërtuar rrugët e pakalueshme. Fotografi me përmbajtje të këtillë kumtuan alpinistët në rrjetet sociale, si reagim ndaj deklaratave të politikanëve se ka nevojë që Malet e Sharrit të shpallen park kombëtar.

Alpinistët alarmojnë dhe reagojnë se nëse duhet të shpëtohet natyra, kjo duhet të bëhet sa më parë dhe të parandalohen fotografitë e këtilla, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Para më pak se një muaji u ngjita në Majen e Dobroshit, nuk pati asnjë kamare me drunj. Gjatë asaj kohe është prerë, siç mund të shihet nga fotografitë e bëra, është shkatërruar”, thotë njëri nga alpinistët në sqarimin e fotografive.

“Kalon mekanizim i rëndë, prehen të gjithë drunjtë, shkatërrohet në mënyrë monstruoze gjithçka që duhet të jetë rajon i mbrojtur, në mënyrë që të prodhohet 1kW dhe të mund të kalojnë lirshëm 500 dele”, thotë alpinisti Jovica Rafajllovski, i cili ka xhiruar pjesën e shkatërruar drejt majes Borisllavec.

Të shtunën, ministra, kryetarë komunash dhe ambasadorë shëtitën nëpër Malet e Sharrit në kuadër të fushatës për nevojën e shpalljes park kombëtar.

“Gjërat janë nga fundi dhe në muajt në vijim presim që shpallja të realizohet. Kjo dinamikë përkon me procesin e fillimit të negociatave me çka japim dy porosi se politikisht po pjekemi për t’u bërë pjesë e Unionit dhe t’u afrohemi standardeve evropiane për rajonin e mbrojtur”, deklaroi të shtunën zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Me shpalljen e Maleve të Sharrit park nacional, sipërfaqja e tanishme prej nëntë për qind zonë e mbrojtur do të rritej në 12 për qind./Telegrafi/