Telegrafi

Almeria prish planet e Barcelonës

Vendasi kaluan në epërsi pas vetëm 12 minutash lojë me anë të një goli të shënuar me kokë nga Domingo Cisma, por kampionët barazuan tre minuta para fundit të pjesës së parë me anë të një gjuajtje të lirë nga Lionel Messi.

Pjesa e dytë po ashtu filloi jo mbarë për Barcelonën. Së pari kapiteni Carles Puyol dërgoi topin në rrjetën e gabuar pas një harkimi të Guilherme në minutën 57-të, ndërsa tre minuta më pas Zlatan Ibrahimovic u përjashtua nga ndeshja me karton të kuq për shkak se faulloi Cisma pa top në afërsi.

Ibrahimovic duke u larguar nga loja pas kartonit të kuq (Foto: Reuters)

Edhe pse me dhjetë lojtarë në fushë blaugranët ishin në gjendje të shënojnë edhe një gol, i dyti në ndeshje nga Messi (66’), që i solli një pikë Barcelonës.

Ekipi i Pep Guardiolës tash mbledh 62 pikë në maje të tabelës, me Real Madridin që mund të barazojë pikët nëse shënon fitore ndaj Sevillas në takimin që përfundon në mesnatën e sotme./Telegrafi/