Ish-Miss Shqipëria 2008 dhe njëherësh aktorja dhe këngëtarja, Almeda Abazi, është bërë nënë për herë të parë
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Tolgahan Sayisman, kanë mirëpritur në jetë e tyre një foshnje të gjinisë mashkull, të cilin e kanë pagëzuar me emrin Efehan.
Almeda lindi në orën 05:12 në një spital privat në Stamboll.
Siç raporton CNN turk, mjeku i Spitalit Acıbadem Altunizade, Prof. Dr. Çağlar Çuhadaroğlu, citohet të ketë thënë se “djali i Tolgahan dhe Almeda Sayisman erdhi në jetë 3 kilogramë e 285 gramë, 50 cm i gjatë”.
Përndryshe, çifti kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë më 14 shkurt të vitit 2017, dhe jetojnë së bashku prej vitesh në Turqi.
Në një intervistë për Telegrafin, të dhënë në janar të këtij viti, Almeda e kishte përshkruar shtatzëninë si një prej periudhave më të veçanta të jetës së saj.
“Jam shumë e emocionuar dhe e lumtur në të njëjtën kohë, është hera e parë që po përjetoj një ndjenjë kaq të veçantë në jetën time dhe po mundohem ta shijoj në maksimum duke mos u shqetësuar për asgjë tjetër, sidomos kilogramët e tepërt “, kishte thënë aktorja dhe këngëtarja. /Telegrafi/