Telegrafi

Alli: Duhet të plotësohen disa kushte esenciale për tu bërë pjesë e NATO-s

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka theksuar se Kosova do të mbetet e përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

Haliti këto komente i ka bërë të premten pas takimit me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në përbërje: Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Andrius Avizius, drejtor i Komisionit për Dimensionin Civil dhe Siguri.

“Unë i sigurova që Kuvendi i Kosovës dhe njerëzit në përgjithësi janë me orientim perëndimor, dhe se do të insistojmë fuqishëm që vendi ynë do të jenë pjesë e BE-së. Ne do të angazhohemi t’i kryejmë detyrat e shtëpisë që i kemi për të qenë pjesë e NATO-s dhe BE-së”, ka theksuar Haliti.

Ndërkaq, Paolo Alli, president i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se ka progres në Kosovë, por që janë disa kushte sipas tij, që duhet plotësuar për tu bërë anëtare e NATO-s.

Ai tha se ata po shohin progres të madh në rajon dhe në Kosovë.

“Në e kuptojmë që populli don të anëtarësohet në NATO. Por, janë disa kushte që duhet të plotësohen për tu bërë anëtare e NATO-së. Janë disa kushte esenciale siç është paqja me Serbinë , luftimi i korrupsionit, angazhimi në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Alli.

Ndryshe, të premten në Kosovë ka qëndruar delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në përbërje: Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Andrius Avizius, drejtor i Komisionit për Dimensionin Civil dhe Siguri. /Telegrafi/