Site icon Telegrafi

ALL RIGHT

Nga: Jaroslav Hasek
Përktheu: Iliaz Bobaj

Konti Lorenc u rikthye nga një udhëtim eksplorues në Afrikë, në të cilin kishte kaluar një vit e gjysmë. Në të vërtetë, udhëtimi i tij ishte i tillë, që ai të kalonte gjysmë viti në Algjeri, gjysmë në Tanger dhe gjysmë në Aleksandri dhe Kajro, duke kaluar nëpër fqinjësitë ku mund ta adhuronte vallen e mrekullueshme të barkut. Ndokush e sheh që ta kërcejnë këtë valle për gjysmë ore dhe kënaqet ose rëndohet, por zoti kont duroi ta shihte këtë veçanti të lindjes për një vit e gjysmë. Administratori i pasurisë së tij i dërgonte çdo gjashtë muaj një telegram, me përmbajtjen e mëposhtme: “Gjithçka në rregull”. Përgjithësisht ia dërgoi këtë telegram tri herë, por para se të largohej për në atdhe, zoti kont mori një telegram i cili përmbante një fjalë më tepër: “Gjithçka është shumë mirë”.

Ky ndryshim i beftë e trembi kontin, pasi administratori shquhej për lakonizmin e tij dhe të shtonte në telegram një fjalë më tepër, do të thoshte se diçka e tmerrshme do të kishte ndodhur.

Dërgoi përgjigjen e vet: “Më pritni në stacion së bashku me karrocën të martën e ardhshme në pasdite” dhe mori rrugën e kthimit, duke bërë ndërkohë edhe një kthim në Maltë, pasi kishte dëgjuar se aty vallja e barkut kërcehej pakëz më ndryshe se në Egjipt. Kështu që u kthye të martën.

“Gjithçka shkon për mrekulli”, i tha administratori i tij, ndërkohë që karroca me pasagjerë me ata të dy përshkonte rrugën nga stacioni për në kështjellë.

Konti, duke hedhur sytë jashtë karrocës, pa arat e tij të shkatërruara nga breshëri. Tregoi me dorë, i habitur, tokën e shkretuar.

“Jemi me fat, shkëlqesi”, i tha i kënaqur administratori, “në të gjitha këto ara gruri zuri krimbin e të lashtave. Na duhej një katastrofë derisa të lahej gruri, pasi nuk do të kishim problem vetëm këtë vit. Në qoftë se nuk do të zhdukej sivjet, do të shfaqej me siguri vitin tjetër. Për dy vjet me radhë do të kishim mungesa të mëdha. Lavdi Zotit, për fatin tonë të mirë erdhi breshëri, na goditi në shenjë dhe shkatërroi krimbin e grurit së bashku me grurin”.

Administratori fshiu djersën e ballit dhe nxori kapelën. “Tepër dinjitoz ai kryqi i ri, për hir të së vërtetës’’, tha duke treguar kryqin e hekurt mbi një shtresë të trashë rëre, “por e meritonte realisht. Ju shërbeu me përkushtim”.

“Cili?”

“Piteri, shërbëtori juaj”.

“Piteri im?”

“Po, shkëlqesi. Gjatë kohës së shtrëngatës, kaloi këtej së bashku me ata dy kuajt e bardhë, të cilët para dy vjetësh kishit mirësinë t’i sillnit nga Rusia, nga stallat e Stolinskit. Bisedova për këtë punë me mësuesin Parlik nga Nusiçi dhe ai mendonte se rrufenë e tërheq më tepër ngjyra e bardhë. Sigurisht duhet të ketë qenë rrufe e fuqishme – rrufe e plotë. Jo vetëm që vrau çiftin e kuajve, por e goditi me një mënyrë tepër interesante edhe vetë shërbëtorin. U gjendën të shkrira të gjitha pullat e tij, ndërkaq mori flakë edhe vetë veterineri”.

“O Zot, cili veteriner?”

“Veterineri i krahinës, shkëlqesi. I pata thënë të vinte edhe ai i shkreti, por nuk arriti të mbërrinte më tej kryqit. Fatkeqësisht, ishte e nevojshme të vinte, pasi gjendja e demave tanë ishte e veçantë. Lopët tona ishin të mirushqyera, të shëndetshme dhe të lumtura. U pëlqente jeta që bënin aq sa hanin çdo ditë e më tepër për t’u dukur më të bukura, por në njëfarë kohe hëngrën më tepër nga ç’duhej, nuk i jepnin më rëndësi as tërfilit, as barishteve të tjera dhe një ditë njëra prej tyre ngordhi. Të tjerat filluan të mbanin zi, u thanë nga lotët dhe ngordhën njëra pas tjetrës. Atëherë ndjeva nevojën ta thërrisja veterinerin. Fatkeqësisht, kjo çështje nuk kishte një fund të mirë dhe, së fundi, kur erdhi veterineri i ri, kishim shumë shpenzime dhe problemin e groposjes së lopëve. Shkëlqesia juaj nuk mund ta konceptojë se sa shumë punë duhet bërë për t’i groposur treqind lopë. Përgjithësisht, gjithçka shkon mirë”.

Administratori fshiu djersën e ballit dhe vuri përsëri kapelën. “Ai kryq”, tha, duke treguar me dorë tej një hendek, “nuk është edhe aq i bukur, pasi stallieri juaj nuk meritonte diçka më të mirë”.

Konti zgurdulloi sytë. “Ai, sigurisht, shkëlqesi, u vetëvra me iniciativën e vet për shkak të një gjendjeje të çuditshme. Iu ngulit ideja ngulmuese, se ishte infektuar nga hamshori i stallës, të cilin e përkujdeste, kështu që e varrosën së bashku me hamshorin e ngordhur”.

Konti u hodh përpjetë i tronditur.

“Mos u tronditni, shkëlqesi”, e qetësoi me zë të butë administratori, “punëmarrësi që mori përsipër këtë çështje, i solli të gjithë kuajt dhe e bëri shumë lirë. Fituam gjithsej njëqind korona. Fatkeqësisht, varrimi i stallierit kushtoi tetëdhjetë korona. Veç ishte një varrim i suksesshëm. Koha ishte e mrekullueshme, as e ngrohtë as e ftohtë, aspak mbytëse, ajri gjithashtu frynte këndshëm, kështu që ajo Francezia juaj, të cilën e sollët para dy vjetësh nga Parisi, gjatë ndarjes së saj bëri një kalim të bukur në drejtim të stacionit. Më mirë të qetësohet shkëlqesia juaj, të gjitha janë të rregulluara. Të gjitha janë në rregull. All right!
Sidoqoftë, vajza ishte pa përvojë dhe kush mund ta dijë se çfarë qëndrimi do të mbante para grackave të ndryshme që do t’i ngrinin. Fatmirësisht, së bashku me të na la shëndetin edhe dhëndëri, shkëlqesi. Mori një kohë shumë të gjatë derisa ta dorëzonin zviceranët tek autoritetet austriake, por gjyqi e nxori të pafajshëm, pasi thoshte se dëmtimi ishte vënë në vend, madje i gjetën të gjitha sendet e çmuara familjare që kishte vjedhur, shkëlqesi”.

Konti Lorenc zgurdulloi sytë akoma më shumë. Kuajt kalonin me galop, nga një zonë ku gardhi me thurimë teli në shumë vende ishte i shqyer.

“Ç’u bë me këtë rrethim?” – thirri i sfilitur konti.

“All right!”, i tha administratori, “asgjë s’u bë, asgjë, shkëlqesi. Tani për tani nuk na duhet rrethimi, pasi lama dhe sorkadhet nga Japonia, që i sollët para tre vjetësh për kafshë shtëpiake, nuk mund të ikin. Në të vërtetë nuk mund të ikin, pasi nuk janë më. Mos u tronditni, kjo ndodhi vetvetiu. Tufa e qenve ujqër, ata këlyshët e vegjël, të cilët kishin mirësinë t’i blinit në Uhri, u rritën aq shpejt sa rrjedhja e ujit dhe u bënë ujqër të vërtetë. Qysh në fillim ishin ujqër të vërtetë, po derisa ta kuptonim ne, na shqyen dhe na hëngrën të gjitha sorkadhet japoneze. Në këtë mënyrë u zhduk pa lënë gjurmë edhe roja e portës dhe mendoj se ata përbindësha janë përgjegjës për këtë. Por shitëm me çmim të mirë lëkurët e tyre”.

“Po lama ç’bën?”

“O, ajo ia doli mbanë për mrekulli dhe tani është balsamosur me sukses të plotë. Kishte aq pleshta saqë ujqërit nuk e morën mundimin ta hanin, kështu që i doli për mbarë. Një çast gjeti në pyll një çantë me fishekë dhe u mundua ta hante. Një fishek shpërtheu dhe predha i kaloi nëpër tru. Prej andej u kthye pas dhe i doli nga syri i djathtë. Ama lëkurën nuk e preku fare. Vetëm se goditi strucin pranë tij, i cili vështronte me kërshëri. Struci tjetër iku nga vdekja natyrale. Pa lejlekun që rrinte me një këmbë dhe u mundua të rrinte edhe ai në të njëjtën mënyrë. Meqë nuk mundi, u vra shpirtërisht, e zuri marazi, siç thuhet, u përpoq përsëri e përsëri dhe, pasi i pa të gjitha, ndaloi së ngrëni derisa e gjetën shakull Çfarë po ju ndodh, shkëlqesi? Ju lutem, merreni veten! Sigurisht, është e vërtetë, që në ndonjë periudhë kohore në këto vende kishte edhe sera ngrohëse, por askush nuk do ta besonte se xhami do të digjej dhe pemët e palmës do të digjeshin dhe do të rrëmbenin madje edhe kaktusët e shtrenjtë. Unë i pashë me sytë e mi, shkëlqesi dhe nuk e besoja…’’.

Në parkun e fermës së Nezdisovskit vizitori sheh shumë shpesh që të kalojë mbi rrugicat e shtruara bukur edhe një zotëri plak, i cili hap duart dhe i thotë vetes: “Në rregull. Gjithçka në rregull”. Mjekët konkluduan se kjo shprehi nuk do t’i ikë kurrë derisa të jetë gjallë. Dhe ky nuk është kush tjetër, veçse konti Lorenc. /Revista “Akademia”/

Exit mobile version