Telegrafi

Alkooli, rrezik shtesë te personat me mbipeshë

British Medical Journal ka publikuar rezultatet e dy studimeve në të cilat kanë marrë pjesë më shumë se një milionë participantë.

Të dhënat nga Universiteti i Oxfordit kanë treguar se personat me mbipeshë, të cilët brenda ditës pinë më shumë se një gotë vere, janë dyfish më të rrezikuar nga sëmundjet e mëlçisë.

Sipas vlerësimit të tyre, afër 20% e rasteve me cirrozë të mëlçisë te femrat në moshë mesatare, janë të lidhura me peshën e lartë trupore, ndërsa 50% e tyre shkaktohen nga konsumimi i tepruar i alkoolit.

Duke analizuar të dhënat e grumbulluara nga participantët meshkuj, shkencëtarët kanë vlerësuar se meshkujt me mbipeshë, të cilët brenda javës pinë së paku 15 njësi të ndonjë pije alkooli, kanë 19 herë rrezik më të lartë për të fituar sëmundjet e mëlçisë sesa moshatarët e tyre që konsumojnë të njëjtën sasi të alkoolit, por kanë peshë normale trupore. /Telegrafi/