Pjesën e shtatë të serisë së dokumentarëve për Kosovën, gazetari i njohur kroat, Goran Milliq, e nis me propagandën serbe për natalitetin e shqiptarëve të Kosovës, gjoja si armë politike për të tejkaluar serbët në numër. Por, e vërteta është se Kosova kurrë nuk i ka tejkaluar dy milionë banorë, ndërsa sot, sipas anketës së bërë nga ai, tre për qind e të rinjve janë për një fëmijë; 40 për qind për dy; 30 për qind për tre; dhe 23 për qind për më shumë se tre, transmeton Telegrafi.
Guvernatori e Bankës Kombëtare, Bedri Hamza, gjatë një interviste shprehet se Kosova është vend stabil financiarisht, me borxhin e jashtëm nën një miliard euro, duke e bërë një nga vendet me më pak borxhe në Evropën Juglindore.
Në këtë pjesë të dokumentarit të realizuar nga Al Jazeera Balkans, ceket prodhim i dikurshëm mbresëlënës i duhanit që tashmë është në situatë kritike. Për këtë flet me Gazmend Abrashin, që ka privatizuar fabrikën e vjetër të cigareve në Gjilan dhe i cili është i bindur se nga duhani, në Kosovë, do të mund të jetonin të paktën 20 mijë familje.
Milliq flet edhe me femrën e parë që udhëheq me një qytet, Mimoza Kusari Lilën – kryetaren e Gjakovës. Nëna e dy fëmijëve “mbahet në top-formë meqë çdo mëngjes vrapon 12 kilometra, ndërsa merr pjesë edhe në maratona”. “Qytetin e mendon si tipi evroperëndimor, me shumë gjëra moderne e edhe ndjenjën e trashëgimisë historike”, thotë Milliq.
Gjatë vizitës në Prizren, që përshkruhet si qyteti më i bukur në Kosovë, ceket se aty flitet shqipja, boshnjakishtja, serbishtja dhe turqishtja. Ndërsa, nuk lihet pa u përmendur edhe festivali DokuFest.
Milliq provon edhe kuzhinën e Kosovës që për të ka larushi – me ushqime pak të njohura, përfshirë edhe mënyrën e përgatitjes së tyre.
Detaj interesant në këtë pjesë është edhe kjo anketë: 60 për qind duan të punojnë në shërbime shtetërore, 16 për qind në kompani shtetërore, veç pesë për qind në firma private dhe 15 për qind në firmat personale. /Telegrafi/