Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev deklaroi sot se rrethet e Nagorni-Karabakut – Agdam, Kelbajar dhe Lachin do t’i dorëzohen Bakus në ditët në vijim.
Aliyev këtë e pohoi gjatë vizitës në rrethet Fizuli dhe Jabrail, të cilat Armenia ia dorëzoi Bakus, raporton dailysabah.
Presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti i Azerbajxhanit, Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan nënshkruan një marrëveshje mbi një armëpushim të plotë në Nagorni-Karabak më 9 nëntor, duke filluar nga 10 nëntori.
Marrëveshja përcakton se Azerbajxhani dhe Armenia qëndrojnë në pozicionet e tyre aktuale dhe se paqeruajtësit janë vendosur në rajon. Përveç kësaj, Baku dhe Jerevani duhet të shkëmbejnë të burgosurit dhe trupat e të vrarëve.
Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për dekada rreth Nagorni-Karabakut, i cili është i banuar nga armenët gjersa territorialisht i takon Azerbajxhanit. /Telegrafi/