Site icon Telegrafi

Aliun: Projektet për Ferizajn nuk kanë gjetur mbështetje nga Qeveria e Kosovës

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka deklaruar se projektet e Ferizajt nuk janë përfshirë në buxhetin e Kosovës.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se inflacioni dhe vonesa nga pushteti qendror për ta proceduar e ligjin për punët publike, ka bërë që komuna që ai e drejton të ketë shumë vështirësi në realizimin e projekteve.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të ofrojë kushte buxhetore e ligjore në mënyrë që të mos ketë probleme të theksuara.

“Është evidente, fakti se ngritja e çmimeve sikurse në gjithë vendin, edhe në Komunën e Ferizajt, ka shkaktuar ngecje e vështirësi në realizimin e projekteve të ndryshme, kjo edhe për shkak vonesës së procedimit të ligjit për punët publike në kushte inflacioni, gjë që ka bërë që për shkak të rritjes së pandalshme të materialeve të punës, të kemi vonesa e vështirësi me projektet. Kujtoj se në këtë kuadër, Qeveria duhet të ndërmarr hapa të menjëhershëm që të lehtësoj e zhbllokoj këtë ngërç për vendin e zhvillimin e projekteve të shumta, duke krijuar kushte e ofruar garancitë e nevojshme buxhetore e ligjore”, ka thënë kryetari Aliu.

Kur jemi te bashkëpunimi mes nivelit qendror dhe atij lokal, kryetari Aliu ka kritika për të. Ai thotë se asnjë nga amandamentet e propozuara për Buxhetin e Kosovës, për projektet e komunës së Ferizajt, nuk ka gjetur mbështetje.

Objekti i komunes së Ferizajt

“Komuna e Ferizajt me kohë ka adresuar kërkesat drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, deputetëve të Ferizajt si dhe Komisioneve përkatëse parlamentare për përfshirjen në buxhet të viteve të ardhshme, projekte të ndryshme për Ferizajn. Për fat të keq, asnjë nga amendamentet e propozuara për Buxhetin e Republikës së Kosovës, që është projekt i Ferizajt, nuk ka gjetur mbështetje, rrjedhimisht ky fakt ilustron qartazi përgjigjen në pyetjen tuaj. Megjithatë, Komuna e Ferizajt, me gjithë kapacitetet e saj është e përkushtuar në zbatim të projekteve të saj zhvillimore në dobi të interesit publik, për ato zotime për të cilat kemi marr mbështetjen qytetare, si asnjëherë më parë në historinë politike të Ferizajt”, është shprehur Aliu.

Kjo sipas kryetarit Aliu, është padrejtësi ndaj qytetarëve të Ferizajt, duke e vënë theksin edhe tek të zgjedhurit nga kjo komunë që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës apo Qeverisë.

Ndërkaq, një tjetër problem i kësaj komune është ngecja e punimeve për spitalin e ri. Aliu, theksoi përveç dobisë që do ta kishte ndërtimi i tij për qytetarët e Ferizajt, edhe komunat e tjera do të përfshiheshin për të marrë shërbime aty.

Ai tha se për ndërtimin e spitalit është kryer edhe një studim nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.

Spitali i ri i Ferizajt, në ndërtim

“Odisejada me projektin e ndërtimit të Spitalit të Ri Rajonal në Ferizaj, për fat të keq po vazhdon dhe kjo për asnjë arsye të qenësishme. Siç e dini, tashmë është kryer edhe një studim, vlerësim nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë për këtë projekt. Vlerësoj se çdo ditë e humbur në jetësimin e këtij projekti, është dëm për Ferizajn dhe ferizajasit dhe jo vetëm, duke pasur parasysh se ky institucion përfshinë edhe komunat fqinje të Regjionit të Ferizajt”, ka thënë ai.

I pyetur për problemin me qentë endacakë, i cili është problem në të gjitha komunat e Kosovë, e jo vetëm në Ferizaj, Aliu bëri të ditur se Drejtoria e Bujqësisë, i ka trajtuar 1245 qenë endacak në vitin 2022.

Sipas tij, janë ndërtuar edhe katër pika ushqyese për ta me standarde të larta. Përveç kësaj, kryetari Aliu, ka theksuar se së shpejti do të funksionalizohet edhe Qendra për Trajtimin e Përkohshëm të Qenve Endacakë.

Qentë endacakë në Ferizaj

“Sa i përket çështjes së qenve endacak, Komuna e Ferizajt përmes Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, ka trajtuar 1254 qenë endacak brenda vitit sipas metodës kapje, sterilizim, vaksinim dhe lëshim. Po ashtu kemi ndërtuar 4 pika ushqyese për qentë endacak e gjithashtu kemi ndërtuar sipas standardeve më të larta Qendrën e Trajtimit të Përkohshëm të Qenve Endacak, e cila së shpejti do të funksionalizohet. Pra, përveç qasjes në pikëpamje të trajtimit, infrastrukturës e kujdesit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë ka realizuar edhe fushatë edukative mbi sëmundjet e transmetueshme dhe sjelljes me qentë endacak, ku mes tjerash adresohet edhe rëndësia e mosbraktisjes së qenve me pronarë dhe adoptimi i tyre”, ka thënë ai.

Për fund, kryetari i Ferizajt i ka përmendur disa nga objektivat kryesore për vitin e ardhshëm. Fokus kryesor për vitin e ardhshëm sipas tij do të jetë gjelbërimi i qytetit si dhe projekti i nënkalimit për vetura dhe këmbësorë te Stacioni i Policisë në Ferizaj.

“Vazhdimi i punës transformuese në infrastrukturën publike, por mbi të gjitha fokusi ynë për Ferizajn e gjelbërt, që përfshinë një varg projektesh madhore mjedisore si rregullimi i Parkut në Kodrën e Sherretëve, zgjerimi dhe rikonstruktimi tërësor i Parkut të lirisë, zbatimi i dhjetëra projekteve të miniparqeve në qytet e fshatra sipas konceptit PocketPark, parkut në hapësirën e qytetit, ku gjendet aktualisht objekti i KRM Pastërtia, pastaj edhe projekte të tjera madhore si Nënkalimi për vetura dhe këmbësorë tek Stacioni i Policisë në Ferizaj, e shumë projekte e nisma arsimore, kulturore, shëndetësore e të zhvillimit ekonomik, për të cilat kemi filluar tashmë punën në shumë prej tyre”, ka thënë Aliu.

Sipas institutit GAP, kryetari Agim Aliu, në fushatën zgjedhore i kishte dhënë gjithsej 69 premtime, për një vit i ka përmbushur vetëm tri, po ashtu tri janë gjysmë të përmbushura, 14 të filluara dhe 49 nuk kanë filluar ende.

Exit mobile version