Telegrafi

Aliu: Vetëm gjatë vizitave të paralajmëruara kompanitë e hidrocentraleve e lëshojnë rrjedhën e ujit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kompanitë që menaxhojnë hidrocentralet në Brezovicë e ndalin rrjedhën e ujit, por ai lëshohet nëse ka paralajmërime për ta vizituar lumin.

Aliu tha se në vizitën e paparalajmëruar gjatë ditës së djeshme në lumin e Lepencit, nuk ka pasur ujë të rrjedhshëm në shtratin e tij, shkruan Telegrafi.

“Një nga vërejtjet e qytetarëve dhe organizatave ka qenë, që sa herë lajmërohet inspektorati që të vjen e ta viziton lumin dhe hidrocentralin, atëherë para se të vijnë këtu lëshohet uji. Normalisht nuk ka ujë, ai është nëpër gypa, por në momentin kur duhet të vijnë inspektorët e kur janë vizitat e paralajmëruara, hidrocentralet e lëshojnë ujin. Ne kemi ardhur dje pa paralajmërim, këtu dje situata ka qenë krejtësisht ndryshe, sot kemi rrjedhë të ujit. Situata prej orës 5:30 dje pasdite dhe asaj sot, është krejtësisht ndryshme”, tha Aliu.

Ai shton se kjo vizitë është bërë pas shumë vërejtjeve që janë bërë nga qytetarët për hidrocentralet në këtë lum.

“Në bazë të pamjeve që po i shohim të lumit Lepenc tani, po i bie që të vijmë më shpesh në mënyrë që ta shohim lumin në formën e tij normale. Pas shumë vërejtjeve që kemi marrë nga aktivistë e banorë, kemi dalë në terren. Këtu jemi në Brezovicë te lumi. Këtu kemi pasur vërejtje për shtratin e lumit, pas kësaj do ta vizitojmë lumin në Shtërpcë”, përfundon ai. /Telegrafi/