Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se po bëjnë të gjitha që po munden, me të gjitha kapacitetet që të mbrojnë qytetarët nga rreziku i virusit COVID-19 apo coronavirus.
Aliu ka deklaruar se Ferizaji qysh javë më parë ka nisur ekipin shëndetësor në zonë kufitare.
“Kemi mobilizuar e pajisur punonjësit shëndetësor për përballimin e situatës, po furnizojmë me materiale shtesë higjienike shkollat, inspektorët vazhdimisht po kontrollojnë në terren bizneset për rritjen eventuale të çmimeve të produkteve, anuluam të gjitha ngjarjet me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve e pa më të voglin dyshim, më të nevojshmen, po e bëjmë dezinfektimin e hapësirave e ndërtesave publike”, ka njoftuar Aliu në një shkrim në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ai ka pohuar se me kujdes të shtuar e zbatim të masave mbrojtëse, ky rrezik më lehtë do të tejkalohet.
Kujtojmë se deri më tani në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me coronavirus./Telegrafi/