Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka zhvilluar sot një takim në Leposaviq me kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemi.
Aliu pas këtij takimi në një postim në Facebook shkroi se me Hetemin kanë biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë.
“Nder dhe kënaqësi e veçantë që ta takoj Kryetarin e komunës së Leposaviqit, z. Lulzim Hetemi.
Me kryetarin bashkëbiseduam për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve që do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë, me ç’rast i ofruam mbështetje të parezervë.
E falënderoj kryetarin Lulzim Hetemi nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës, si dhe Policinë e Kosovës për disiplinën dhe profesionalizmin e pashembullt që po e tregojnë për çdo ditë”, shkruan ai.
Ndryshe, pasi ka dalë nga takimi, Aliu është përcjellë nga Policia e Kosovës pasi protestuesit kanë gjuajtur ngjyrë të kuqe në drejtim të veturës së tij. /Telegrafi/