Njëra prej pikave të Marrëveshjes së Washingtonit të arritur një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, është në proces të zbatimit nga ana e Qeverisë Kurti për ndërtimin e “Autostradës së Paqes”.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, tha se sa i përket Marrëveshjes, Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e autostradës Besi-Merdar, e që sipas tij pritet të nis së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit dhe ‘Autostradës së paçes’, Kosova ka hyrë në obligime për ta realizuar rrugën Besi-Merdar. Natyrisht që ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet, por është proces që do të përfundojë. Nga ana tjetër i njëjti projekt nënkupton që duhet të realizohet nga pala tjetër(Serbia) e që deri më tani nuk ka pasur fare asnjë… Nuk mund të themi me siguri të madhe, por mendoj që pranvera – do të kemi mundësi të mira për fillimin e asaj autostrade”, theksoi Aliu.
Këto komente ministri Aliu i bëri në konferencën për media ku akuzoi ish-Qeverinë Haradinaj për parregullsi në procesin e shpronësimit të pronave përgjatë rrugës Kijevë-Zahaq. /KP/