Site icon Telegrafi

Aliu: Kosova ka vetëm 500 milionë metra kubë ujë rezerva, Shqipëria 44 miliardë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 76 vota pro e kanë miratuar raportin vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për 2020. Përplasje mes deputetëve e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka pasur pikërisht për gjendjen e mjedisit.

Ministri Liburn Aliu prezantoi të gjeturat e këtij raporti, e që tha se sa i përket cilësisë së ajrit të dhënat flasin për tejkalimin e vlerave maksimale të lejuara për disa parametra të veçantë dhe kjo kryesisht gjatë sezonit të dimrit.

Ai tha se aktualisht në Kosovë nuk ka program dhe as monitorim të rregullt të cilësisë së dheut, teksa shtoi se sfidë mbetet menaxhimi efikas i mbeturinave.

“Shfrytëzimi i resurseve natyrore, shfrytëzimi i gurit dhe i resurseve të tjera minerare që realizohet përmes gurthyesve, e cila është një nga format më të shpeshta të shfrytëzimit të resurseve natyrore në Kosovë gjatë vitit 2020 janë lëshuar 228 licenca për shfrytëzim të gurit dhe 204 licenca për hulumtime të rezervave të gurit. Të dhënat flasin se ka edhe operatorë ilegal që merren me këtë veprimtari”, tha Aliu.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kërkuar të di se cili është plani i ministrisë për të përmirësuar gjendjen në mjedis.

“Cilët janë hapat konkretë, se unë dëgjova më shumë një gjendje se çfarë jemi duke e përjetuar në mjedisin kosovar, por jo edhe ndonjë hap konkret se çfarë do të bëjmë. Çfarë do të bëjmë në idenë e cilësisë së ajrit që e kemi për çdo vit problematike e sidomos në Prishtinë që kështu prijmë në hartat dhe këto statistikat botërore në kohën e dimrit, pikërisht për shkak të termocentralit, për shkak të ngrohjes me qymyr dhe për shkak të pamundësisë së shtrirjes së rrjetit të ngrohjes me kongjenerim dhe mënyra të tjera”, tha Hoxha.

Aliu, tha se gjendja në mjedis është e rëndë dhe se do të dëshironte të kishte edhe debate të tjera që flasin për këtë temë. Ai pati kritika sa i përket rezervave të ujit, për çka kritikoi qeveritë e mëparshme.

“Nga këto kapacitete ujore që i kemi këto 500 milionë metra kub ujë, 350 është vetëm Ujmani. Kjo ka qenë brengë në vazhdimësi, por nuk është menduar asnjëherë për shtimin e kapaciteteve, madje është menduar qysh të ndahen kapacitetet, si të ndahet Ujmani. Prej pendave që kemi ne sot e kemi veç një pendë të re në Malishevë, e cila është e zbrazët çdo herë. Kjo ka qenë mënyra si është trajtuar uji në vendin tonë. E kur flasim tash për hidrocentralet te rasti konkret do të mund të flasin për lejet mjedisore dhe ujore që janë lëshuar, kemi vendim të gjykatës dhe kemi vendim për mos dhënien e lejes mjedisore të fundit për Lumëbardhin 2, po flas për këto të Deçanit”, tha ai.

Ministri Aliu tha se nuk do të dërgojë në qeveri draftin hapësinor për Parkun nacional “Bjeshkët e Nemuna”, teksa tregoi arsyet për këtë.

“Qe po ju tregoj sa është zona ndërtimore brenda parkut nacional, është 13 mijë hektarë, a di sa i bie kjo? Pra, parku nacional është në territorin e Gjakovës, Junikut, Deçanit, Pejës dhe Istogut. Shtrirja e këtij parku është në territorin e këtyre pesë komunave, sikur ta mbledhim këtyre pesë komunave zonat urbane sa i kanë, krejt të mblidhen dhe të shumëzohen për dy, zona ndërtimore e parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” është më e madhe se kjo. I bie dy Peja, dy Gjakova, dy Deçana, dy Junika dhe dy Istoga. Paramendojeni tash sa uji duhet për ta, paramendojeni ata gypat që marrin ujë prej burimeve duhet marrë për ta bërë ndërtimin famoz të fshatrave turistike. Unë nuk e sjell atë plan, e kthej mbrapshtë edhe e rishikojmë, e rishikojmë dhe duhet ta draftojmë ndryshe, por dua t’ju them kjo ka qenë logjika dhe mënyra qysh është punuar, e nuk është e lehtë të ndryshohet”, tha ai.KP/Telegrafi/

Exit mobile version