Telegrafi

Aliu: Kësaj qeverie votat ia bëri Hashim Thaçi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së tha sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se deputeti Haxhi Shala tregoi qartë që presidenti Hashim Thaçi ka bredhur odë më odë për t’ia bërë votat Qeverisë Hoti.

Aliu po ashtu tha se deputeti i cili vjen nga radhët e komuniteteve, Hetem Arifi nuk kishte të drejtë të votonte të mërkurën në Kuvend, pasi ka dënim të plotfuqishëm nga gjykata.

Sipas tij, LVV do të marr hapa ligjore për votën e Arifit, si dhe për votën e deputetit të Nisma Social Demokrate, Haxhi Shala.

Siç tha Aliu, presidenti i vendit ka shëtitur odë më odë, për të siguruar votat për votimin e Qeverisë Hoti, për të cilin veprim siç tha ai, është jo-kushtetues.

“Akrobacitë politike e dobësojnë shtetin. Akrobaci politike ishte vota e Hetem Arifit, i cili është i dënuar nga Gjykata me dënim të plotfuqishëm dhe që nuk kishte të drejtë të votonte. Këtë e përcakton qartë Gjykata Kushtetuese. Ishte votë përcaktuese pasi ishin vetëm 61 vota, dhe për të cilën votë ne do të marrim hapa në gjykatë. Gjithashtu edhe për votën e kompromentuar të deputetit Haxhi Shala, i cili ju tregoi të gjithëve që presidentit po bredhka odë më odë për të bërë votat. Kjo qeveri është e qartë, që votat ia ka bërë Hashim Thaçi. Nuk ishte vetëm kjo votë e bërë odë më odë. Kjo është ndërhyrje  e qartë e presidentit në vullnet të deputetit. Nuk paska me përdor presidenti më gaz e lotësjell, por mjete tjera. D.m.th. presidenti po kërcënon. Qytetarët e panë që në këtë vend është i mundshëm ndryshimi. Modeli është dhënë”, ka thënë Aliu.

Aliu po ashtu tha se presidenti Thaçi,  po bën kërcënime në emisione televizive.

Ai po ashtu tha se depërtimi i Serbisë në institucionet e Kosovës po bëhet përmes Listës Serbe. /Telegrafi/