Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka përmendur disa nga projektet më kryesore për infrastrukturën e vendit.
Ai në një konferencë për media sot tha se gjatë vitit 2024 do të përmbyllet projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan dhe rruga Dollc-Gjakovë.
Aliu ka theksuar se shumë projekte rrugore është dashur që të tenderohen nga fillimi.
“Ajo çka dua të them, në vitin që do të kemi para nesh, një pjesë e madhe e projekteve nga e kaluara që ka qenë litarë për qeverinë tonë do të arrijmë t’i përfundojmë. Kjo është diçka që jam i gëzuar që do të arrijmë të përmbyllim projektet me shumë telashe, siç është autostrada Prishtinë-Gjilan, ajo Prishtinë -Mitrovicë, të cilën besoj që brenda ditëve në vijim dhe brenda muajit janë arritur të nënshkruhen kontrata dhe të nisin punimet. Pastaj rruga Dollc -Gjakovë, kemi arritur një pjesë të madhe të shpronësimeve t’i realizojmë dhe të bëjmë shpejt të qarkullueshme me katër shirita, përpos një segmenti që mbetet në gjykatë. Pastaj Drenas -Skenderaj, hyrje-daljet e Ferizajt, ato të Gjilanit, rruga Prizren-Prevallë. Këtë vit do të përfundojnë edhe (rruga) Prishtinë- Podujevë, e cila ka qenë një segment që dukej se do të zgjasë pafundësisht, por pas ritenderimit të segmenteve tjera do të mund të realizohet në gjithë gjatësinë e sa”, theksoi Aliu.
Ministri Aliu tha se sfidë kryesore kanë pasur borxhet e mbetura. Ai tha se mbi 120 milionë euro kanë paguar vetëm shpronësime të mbetura.
“Projektet kryesore që i kemi pasur, pengesa për shkak të shpronësimeve, rreziqet nga penallti e shumta, qoftë me fonde të huaja apo me kredi, kemi arritur që mbi 120 milionë euro pagesa të realizojmë brenda tri vjetësh të shkuara dhe presim që me 20 milionë të tjera të zvogëlojmë dukshëm mbetjen e borxhit për vitet në vijim”, tha Aliu.
Aliu theksoi se do të fillojnë qendrat e riciklimit si dhe prioritet për këtë vit do të jetë edhe hapja e korridoreve ajrore me Malin e Zi. Ai tha se me hapjen e korridoreve ajrore qytetarët do të kenë shpenzime të vogla dhe kohë në lëvizjen tyre.
“Me ndihmën e Bashkimit Evropian, GIZ-i gjerman do të fillojmë të ndërtojmë qendrat e riciklimit dhe adresën e radhës të materialeve të ndara, të cilat do të mund të riciklohen më tej. Tash para nesh kemi këtë vit prioritet hapjen e korridoreve ajrore me Malin e Zi. Kjo do të jetë shkurtim i rrugës për qytetarët të cilët mund të lëvizin lirshëm në BE, pasi që janë liberalizuar vizat dhe të kenë shpenzime të vogla në pagesë të biletave dhe në kohë në lëvizjen e tyre”, tha Aliu.
Krahas kësaj, ministri Aliu foli edhe për raportimet për shkëmbim të pronave komunale në Prishtinë me prona në Badoc, ku nënvizoi se pa interes publik të qartë nuk mund të ketë shpronësime e as këmbim të pronave.
“Shpronësimet dhe këmbimet e pronave përherë duhet të kenë arsyetimin e plotë të interesit publik. Pa pasur interes publik të qartë, nuk mund të ketë as shpronësime e as këmbim të pronave”, tha ministri Aliu. /kp/