Telegrafi

Aliu: Impianti për Trajtimin e Ujërave të Ndotura në Pejë pritet të inaugurohet javëve në vijim

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Liburn Aliu njofton se ka vizituar Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura (ITUN) në Pejë.

Sipas Aliu, ITUN është paraparë për 60 mijë banorë, me mundësi të zgjerimit deri në 98 mijë banorë duke shtuar se pritet të inaugurohet javëve në vijim.

“Në shoqërim të Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe zyrtarëve të KRU Hidrodrini, vizitova Impiantin për Trajtimin e Ujërave të Ndotura (ITUN) në Pejë, investim i përbashkët në vlerë prej 25.3 milionë euri përmes Qeverisë Gjermane përkitazi Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) me 9 milionë euro, Qeverisë Zvicerane me 8 milionë euro, Qeverisë së Kosovës me 5 milionë euro dhe Komunës së Pejës me 3.3 milionë euro përfshirë shpronësimin). Kapaciteti i impiantit është paraparë për 60 mijë banorë, me mundësi të zgjerimit deri në 98 mijë. Impianti veçse është në fazën testuese dhe pritet të inaugurohet javëve në vijim”, njofton Aliu. /Telegrafi/