Telegrafi

Aliti flet për ditët e para te Kalmari: Më donin shumë, është një hap i madh për mua në karrierë

Fidan Aliti ditë më parë ka kompletuar transferimin te skuadra e madhe suedeze Kalmar.

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës u largua nga skuadra shqiptare Skënderbeu pas dy viteve qëndrim në Korçë.

Në një prononcim për Fotballskanalen.se Aliti tha se para transferimit ka biseduar edhe me ish-trajnerin e Kosovës, Albert Bunjaku.

“Unë tani di shumë për Kalmarin, pasi kam biseduar me ish-trajnerin e Kosovës, Albert Bunjaku që më ka folur fjalë të mira për këtë klub”.

Qendërmbrojtësi i Kosovës, ka thënë se ka refuzuar disa skuadra tjera pasi Kalmari insistonte për transferimin e tij.

“Kam folur me disa klube dhe kjo është e vërtet. Por pas bisedave me drejtorin sportiv të Kalmarit ata treguan interesimin më të madh për mua”.

“Kalmar më ka dashur shumë dhe më ka vendosur në qendër të projektit, kjo është arsyeja që kam ardhur këtu. Për mua është një hap i madh në karrierë”.

“Te Kalmar më kanë pritur shumë mirë të gjithë, kështu që shpresoj të kemi suksese së bashku”, tha Aliti.

Mbrojtësi nga Presheva gjatë karrierës së tij ka luajtur për Luzernin, Sheriff Tiraspolin dhe Slaven Belupon. /Telegrafi/