Kosova e ka zhvilluar sonte stërvitjen e dytë në prag të ndeshjeve për kualifikimet Euro 2020 kundër Çekisë më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe kundër Anglisë, më 10 shtator në Southampton.
Pas stërvitjes në konferencë për media u paraqitën portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët shprehën entuziazmin e tyre për këto dy ndeshje, teksa e vlerësuan Çekinë si rivale shumë të fortë.
Fidan Aliti e vlerësoi rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve, derisa theksoi se duhet të kenë kujdes në repartin e mbrojtjes dhe të shmangin ndërprerjet në afërsi të zonës.
“Çekia ka shumë eksperiencë dhe lojtarë të mirë në ekip, ndaj i shoh si kundërshtarët tanë direkt për vendin e dytë, ndaj edhe takimi përballë tyre është shumë i rëndësishëm”.
“Megjithatë luajmë në shtëpinë tonë dhe para tifozerisë tonë, ndaj besoj se do të marrim rezultat pozitiv”.
“Janë lënduar shumë lojtarë, por nuk është problem, pasi të gjithë që janë këtu kanë ardhur për shkak të kualitetit e cilësisë dhe do të jenë të gatshëm të bëjnë më të mirën. Duhet të kemi kujdes në gjuajtje standarde, prandaj nuk duhet t’ua japim rastin gjuajtje nga ndërprerja”, ka thënë Aliti.