Fidan Aliti ka folur pas stërvitjes së sotme (e shtunë) në përgatitje e sipër për ndeshjen e së hënës ndaj Bullgarisë.
Përfaqësuesja e Kosovës është nikoqire e Bullgarisë në ndeshjen e parë në kampanjën eliminatore për Euro 2020 në kuadër të Grupit A.
Ky takim po pritet me entuziazëm të madh nga “Dardanët”, por edhe futbollistët e Kosovës, të cilët duan fitore, ku njëri nga ta është mbrojtësi Aliti.
“Me padurim presim ndeshjen e së hënës, ku sërish presim të kemi mbështetjen e fuqishme të tifozëve tanë”, ka thënë fillimisht Aliti.
“Bullgaria ka ekip shumë cilësor dhe sigurisht se do të jetë ndeshje e vështirë”.
“Ne po përgatitemi maksimalisht dhe gjërat e mira që i kemi bërë në miqësoren kundër Danimarkës do të mundohemi t’i përsëritim, ndërsa ato që i kemi bërë gabim duhet t’i përmirësojmë”.
“Jemi në një seri të mirë pa humbje dhe tani jemi plotësisht të përqendruar për të dhënë maksimumin në 90 minutat kundër Bullgarisë dhe për ta nisur ciklin kualifikues për Euro 2020 me fitore”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës. /Telegrafi/