Telegrafi

Alimi: Shkëndija nuk do të ndalet këtu

Armend Alimi (Foto: KFShkendija.com)

Kapiteni Shkëndijës, Armend Alimi, është shprehur i kënaqur që skuadra tetovare luan në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, mirëpo ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duan të shkojnë më larg.

Të mërkurën mbrëma, kampioni i Maqedonisë zhvillon ndeshjen e parë në këtë fazë kundër Red Bull Salzburgut, ndërsa skuadra austriake është favorit.

Megjithatë, futbollistët e Shkëndijës nuk duan të dorëzohen dhe do të përpiqen të nxjerrin një rezultat sa më të mirë para ndeshjes së kthimit.

Armend Alimi (Foto: KFShkendija.com)

“Kemi arritur në xhiron e tretë të Ligës së Kampionëve dhe kjo është meritë e skuadrës. Normal nuk mendojmë të ndalemi këtu”.

Lexo po ashtu Lajmet për Shkëndijën

“Jemi të gatshëm të japim gjithçka nga vetja në këtë ndeshje të re evropiane përballë një rivali të madh”.

“Po, kundërshtari është favorit në bazë të ekipit, buxhetit dhe përvojës, mirëpo kur të fillojë ndeshja do të jemi 11-të kundër 11-të dhe atëherë mund të vendosë motivimi dhe ne jemi të gatshëm të japim më shumë se 100 për qind nga mundësitë tona”.

“Mendoj se ne nuk kemi çka të humbasim në këtë duel, por vetëm të fitojmë. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën ndërsa pas ndeshjes do të shohm nëse kjo do të mjaftojë për rezultat pozitiv”, është shprehur Alimi.

Ndeshja e parë zhvillohet të mërkurën me fillim në orën 19:00, kurse ajo kthyese pas një jave (14 gusht) në stadiumin Filipi II në Shkup. /Telegrafi/