Telegrafi

Alija për masakrën e Izbicës: Prej 24 marsit deri në fund të muajit janë vrarë diku rreth 2 mijë e 63 persona

Amer Alija nga FDHK ka thënë se në masakrën e Izbicës ka ndodhur një vrasje e madhe e civilëve shqiptarë.

“24 vite më herët, më 28 mars janë vrarë diku rreth 350 civilë shqiptarë. Në të njëjtën ditë janë vrarë civilë edhe në Burojë, Obrijë e Ulët, Llaushë. Me fillimin e bombardimeve kanë filluar dhe vrasjet masive të popullatës civile”, ka thënë Alija.

“Prej 24 marsit deri në fund te marsit sipas të dhënave qe i kam nxjerr janë vrarë diku rreth 2 mijë e 63 persona. Kjo javë ishte java më e përgjakshme e të gjithë luftës”, ka thënë tutje Alija nga FDHK-ja në RTV Dukagjini.

Alija ka shtuar se masakra e Izbicës ka qenë objekt gjykimi edhe ne Tribunalin e Hagës ku janë dënuar 6 eprorë serbë, derisa ka theksuar se në Kosovë është një i dyshuar për këtë masakër, i cili është me nacionalitet shqiptar por ka qenë pjesë e forcave policore serbe.

“Gjykimi ka filluar që 1 muaj dhe janë duke u dëgjuar dëshmitarët e parë për këto krime”, ka potencuar Amer Alija nga FDHK.

Derisa kujtojmë që gjatë periudhës së luftës fshati Izbicë nga Komuna e Skenderajt, shihej si vend i sigurt për banorët e shumë fshatrave të Skenderajt, që ishin të ekspozuar ndaj sulmeve të serbëve. Mijëra shqiptarë kishin shkuar aty, më 27 mars të vitit 1999.

Atë ditë, i ishin nënshtruar granatimit, e të nesërmen, gati të gjithë meshkujt e rritur kishin ikur në male, duke i lënë kryesisht gratë, fëmijët, dhe burrat e vjetër në një lëndinë të fshatit.