Bëni kujdes herën tjetër para se të hapni derën e shtëpisë: mund të shikoni një familjarin tuaj, një mik, një fqinj ose… një aligator.
Kjo i ka ndodhur Jamie Weathersbee-Bailey, e cila për fat të mirë gjendej në punë gjatë “vizitës” së zakonshme: kur fqinji e njoftoi për t’i thënë se një kafshë e madhe po tentonte të hynte në banesën e saj, mendoi se ishte një shaka.
Por, duke parë videon, u detyrua të besojë.
Në Moncks Corner, në Karolinën e Jugut, një aligator është përpjekur të hyjë në shtëpinë e gruas për t’u freskuar në pishinën e saj që ndodhet në brendësi të oborrit. Por, me shumë edukatë, në fillim u përpoq t’i bjerë ziles.
Ishte Gary Rogers, personi që filmoi skenën, ai që vërejti kafshën në lagjen rezidenciale.
Ai ka treguar sesi aligatori po shëtiste i qetë në lagje, pa treguar shenja agresiviteti, përcjell GSH.
Pasi kaloi më shumë se një orë nga përpjekja e tij për të hyrë në shtëpi, aligatori u kthye në pyllin nga kishte ardhur.
Fqinja e shtëpisë së Jamie, Danielle Barkley, ka publikuar videon të aligatorit me edukatë në “Facebook”.
“Edhe më parë kemi pasur disa vizita të vogla të aligatorëve, – ka thënë gruaja, – por është hera e parë që kemi parë një të tillë të ngjitet në derë”.