Kompania Alibaba thotë se ka ndaluar përpjekjen për të identifikuar fytyrat sipas përkatësisë etnike pasi kompania u akuzua për krijimin e një sistemi të njohjes së fytyrës që synonte të zbulonte ujgurët.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kompania e teknologjisë kineze lëshoi deklaratën e saj pasi The New York Times dhe IPVM, një publikim i industrisë së mbikëqyrjes, raportuan se një divizion i Alibaba u tregoi klientëve të saj se si ata mund të përdorin teknologjinë e saj për të identifikuar anëtarët e komunitetit ujgur në video dhe imazhe.
Sistemi supozohet se u ndërtua nga një ekip i Alibaba, dhe dyshohet se përfshinte shembullin: “A është ky një ujgur?” në një algoritëm, sipas raportit.
Raportohet se përfshinte gjithashtu kod për të njohur nëse dikush ishte një “pakicë” ose “aziatik”.
Në një deklaratë të enjten, Alibaba tha se ishte “e tronditur të mësojmë se Alibaba Cloud zhvilloi një teknologji të njohjes së fytyrës në një mjedis testimi që përfshinte përkatësinë etnike si një atribut algoritmi për etiketimin e imazheve video”.
Alibaba nuk përmendi Ujgurët në deklaratën e saj, ose nuk shpjegoi se si ose pse sistemi u ndërtua në radhë të parë.
Por theksoi se teknologjia ishte kufizuar në prova dhe “nuk u përdor nga asnjë klient”.
“Ne kurrë nuk kemi dashur që teknologjia jonë të përdoret dhe nuk do ta lejojmë që ajo të përdoret për shënjestrimin e grupeve specifike etnike”, ka thënë kompania. “Ne kemi eliminuar çdo etiketim etnik në ofrimin e produkteve tona”.
Ndryshe, Kina është akuzuar prej kohësh për shtypjen e ujgurëve dhe grupeve të tjera të pakicave myslimane, veçanërisht në rajonin perëndimor të Xinjiang të vendit. /Telegrafi/