Themeluesi i “Alibaba”, kompanisë tregtare kineze përmes internetit, Jack Ma, është njeriu më i pasur në Kinë. Vlera e pasurisë së tij llogaritet rreth 20 miliardë dollarë, shkruan sot gazeta njujorkeze “Forbes”.
Sipas listës së “Forbes” të njerëzve më të pasur në Kinë, numri i miliarderëve në këtë vend aziatik është rritur këtë vit në 242, nga 168 sa ishin vitin e kaluar, ndërsa pasuria e Ma-së ka arritur në rreth 19.5 miliardë dollarë, për dallim nga viti i kaluar, kur ishte rreth 7.1 miliardë dollarë.
Kjo pasi kompania “Alibaba’ ka arritur të ardhura rekord nga oferta e saj fillestare publike (IPO) e aksioneve në bursën e New York, transmeton Telegrafi.
Sipërmarrësi 50-vjeçar edhe muajin e kaluar ishte në vendin e parë të renditjes së përpiluar nga gazeta kineze “Hurun”, por pasuria e tij aktualisht është shumë më e lartë, përkatësisht 20 miliardë dollarë.
Kompania “Alibaba” u themelua 15 vjet më parë me një kapital prej 60 mijë dollarësh, të cilat Mao i kishte siguruar në formë huazimi nga miqtë, ndërsa ajo tani vlerësohet rreth 240 miliardë dollarë.
Ma, ish-profesor i gjuhës angleze, i cili u fut në botën e internetit, ishte në gjendje që përmes shitjes së aksioneve të “Alibaba” në bursën e New York-ut, të arkëtoj mbi 800 milionë dollarë.
Ndërkaq, miliarderi kinez, Wang Jianlin, udhëheqës i konglomeratit “Wanda” që bleu zinxhirin e kinemave amerikane “American Movie Cinema”, rrëshqiti nga pozita e parë, në vendin e katërt të renditjes së revistës “Forbes”.
Pasuria e Wang-ut ka pësuar rënie në 13,2 miliardë dollarë, nga 14.1 miliardë dollarë sa ishte vitin e kaluar.
Robin Li – themelues i Baidu, versioni kinez i motorit të kërkimit në internet të Google – zë vendin e dytë në renditje me një pasuri prej 14.7 miliardë dollarësh, ndërsa Pony Ma, krijues i aplikacionit popullor kinez të mesazheve, WeChat, zë vendin e tretë – me një pasuri prej rreth 14.4 miliardë dollarë. /Telegrafi/