Site icon Telegrafi

Alibaba brenda ditës shet mallra prej 14.3 miliardë dollarë

Gjiganti kinez i tregtisë online, Alibaba, ka thyer një rekord të ri, duke gjeneruar shitje në vlerë prej 14.3 miliardë dollarë në një ditë të vetme.

Të ardhurat rekord erdhën gjatë ditës së beqarëve në Kinë, që tashmë është kthyer në traditë duke u festuar më 11 Nëntor të çdo viti. Një vit më parë në të njëjtën datë, Alibaba shiti produkte për një vlerë prej 9.3 miliardë dollarë. Sot, një vit më pas, gjigantit të tregtisë online i`u desh vetëm gjysmë dite për të thyer rekordin e mëparshëm. 6 vite më parë, ishte vetë kompania që vendosi ta kthente këtë datë në ekuivalenten e së Hënës kibernetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por, dita e beqarëve në Kinë është kthyer në evenimentin më të madh global të blerjeve në terma vlerash transaksioni, transmeton Telegrafi.

Kreu dhe themeluesi i gjigantit kinez, Jack Ma, menjëherë pas publikimit të shifrave rekord deklaroi se, këto të dhëna janë simboli i fuqisë së madhe konsumatore të Kinës. Suksesi i kompanisë vjen edhe falë afrimit të disa prej markave më të mëdha globale të veshjeve, si Zara apo Burberry.

68 për qind e transaksioneve të 11 Nëntorit u kryen nëpërmjet një aparati telefonik. Këto të dhëna nga ana tjetër tregojnë se ekonomia kineze nuk është në formë aq të keqe sa ç`duket. Sipas kreut të kompanisë, objektivi i rritjes prej 7 për qind nuk është ende i paarritshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version