Sa më shpejt të përmbyllet çështja e demarkacionit me Malin e Zi është më mirë si për banorët e asaj zone, si për komunën e Pejës por edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kështu ka deklaruar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, Ali Berisha, sekretar organizativ i AAK-së, njëherësh edhe deputet i kësaj partie.
“Nënshkrimi i marrëveshjes së demarkacionit ka qenë i dëmshëm, por duhet vullnet politik që të evitohet ai gabim dhe marrëveshja të rinegociohet që të behët një e re”, ka thënë Berisha.
E vetmja formë e zgjidhjes së këtij problemi, sipas Berishës, është që komisioni të shkarkohet dhe të rifillojë një rinegocim ku AAK është e gatshme të bëhet pjesë e inicimeve të tilla në mënyrë që ky defekt të korrigjohet
“Mos të kishte qenë reagimi i opozitës, ndoshta sot do të kishim folur për sukseset e asaj marrëveshje”, ka thënë deputeti Berisha.
Në rast që kjo marrëveshje dërgohet për ratifikim në Kuvend, AAK dhe NISMA do t’i përdorin të gjitha format demokratike të kundërshtimit të kësaj marrëveshje.
“Është një vendim i kryesisë së AAK-së që metodat e gazit lotsjellës të mos përdoren më”, ka deklaruar ai në “Kontakt”.
Ky bosht opozitar (AAK dhe NISMA) sipas Berishës në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Kosovës do të jetë një befasi e madhe.
“Me punën që po e bëjmë në terren, këtë koalicion e shohim si partinë e parë fituese pas zgjedhjeve nacionale”, kashtuar Berisha./Tribuna/