Site icon Telegrafi

Ali Berisha: Haradinaj preferon burgun, para votës për demarkacion (Video)

Deputeti i AAK-së dhe ish-kryetari i Pejës, Ali Berisha, në emisionin “InfoBox” të RTV Dukagjinit, tha se arrestimi i kreut të subjektit të tij politik, Ramush Haradinaj, është presion ndaj AAK-së për çështjen e demarkacionit.

Por, Berisha thotë se Ramush Haradinaj më parë do ta pranonte burgosjen, sesa votën pro këtij demarkimi.

“Asnjëherë nuk do të kërkonte apo të bie në shantazhe të tilla. Jam i bindur se z.Haradinaj në asnjë çmim nuk do të pranonte që kushti, qoftë lirimit apo shpërblimit për të, të lidhet me demarkacionin”, tha Berisha për RTV Dukagjini.

Deputeti nuk e përjashtoi mundësinë e protestës në kundërshtim të demaskimit.

Ai madje, tregoi edhe kushtin e kthimit të AAK-së në Kuvend, e që është një rezolutë që do ta propozojnë.

“Kryetari i Grupit në fillim të seancës do ta propozojë atë rezolutë, dhe nëse ka një dakordim të partive tjera politike, atëherë Aleanca të paktën nuk do të ketë nevojë t’i bojkotoj punimet e Kuvendit”, tha ai.

Berisha thotë se pajtohet me atë që është thënë se Haradinajt po i hakmerret Serbia, pasi që pikërisht ai i ka shkaktuar humbje të mëdha policisë serbe, duke bërë kështu që ata të largohen nga rajoni i Pejës./Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=eZNqvt7LwAs

Exit mobile version