Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti sot në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ka marrë pjesë në shënimin e 555-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.
“Sot shënohet një ngjarje shumë e rëndësishme për shqiptarët me rastin e 555 vjetorit të Skënderbeut, një nga figurat më emblematike, ka qenë udhërrëfyes, shembull frymëzimi për rezistencën, i pamposhtur. Sa jetoi, jetoi i lirë, sa jetoi, jetoi fitimtar. 25 vjet në beteja, shembull frymëzimi për ne në drejtim të popullit, diplomacisë, në hartim të strategjisë.
Figurë emblematike dhe e nderuar prej gjithë Evropës. Skënderbeu i takon Evropës, është bir i shqiptarëve dhe për këtë jemi krenarë, që i madhi Skënderbe kalon të gjithë kufijtë”, deklaroi Ahmeti pasi vendosi buqetë me lule mbi bustin e Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.