Telegrafi

Ahmeti: Rama ka ndihmuar për takimin e liderëve shqiptar, jam takuar edhe me Vetëvendosjen! (Video)

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë intervistës në televizionin 21, ka folur për takimet që janë zhvilluar ditëve të fundit nga liderët politik shqiptarë, të inicuara nga Edi Rama.

“Në radhë të parë kjo është nevojë për shqiptarët në Maqedoni. Partitë politike kanë bërë shumë më herët takime me kryeministrin Edi Rama. Sigurisht ka biseduar edhe me mua, dhe më ka kërkuar nga unë të thërras partitë politikë në një takim të përbashkët për t’i dëgjuar se cilat janë kërkesat e tyre. Unë e kam bërë këtë përpjekje, gjithashtu ka pasur edhe kërkesa edhe nga autoritetet e Kosovës, dhe partive politike opozitare. Unë poashtu kam bërë edhe një takim me Lëvizjen Vetëvendosje në drejtim të inkurajimit për t’i harmonizuar qëndrimet lidhur me avancimin e çështjes shqiptare”, theksoi Ali Ahmeti.

Ai më tej tha se as Shqipëria e as Kosova nuk janë ata që hartojnë e diktojnë politikat për shqiptarët e Maqedonisë.

“Ne kemi programet tona, qëllimet tona, por çdo lehtësim që mund të vjen prej bashkëmendimtarëve është i mirëseardhur, poashtu edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, theksoi Ali Ahmeti. /Telegrafi/