Telegrafi

Ali Ahmeti për Kadri Veselin: Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhënjesh

​Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka quajtur padrejtësi ftesën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale për kreun e PDK-së, Kadri Veseli.

Mirëpo, Ahmeti ka shprehur bindjen se ashtu siç kishin bërë në luftë, Veseli do të dalë triumfues edhe kësaj radhe.

Shkrimi i plotë i Ali Ahmetit:

I dashur vëlla Kadri, bashkëveprimtar, bashkëluftëtar, bashkëmendimtar, shoqërues dhe bashkëndërtues i rrugës sonë të përbashkët për liri, pavarësi, demokraci.

Na paska qenë e shkruar, jo nga Perëndia, por nga hasmi, ai i dituri dhe ai i strukuri, që çdo ditë të lume ta dëshmojmë pastërtinë dhe dinjitetin e luftës tonë çlirimtare nga zgjedha e kasapit të Ballkanit.

E nga Perëndia na qenka përcaktuar detyrimi që t’i bëjmë ballë shpifjeve, denigrimeve, nënçmimit, propagandës dhe lajmeve të rreme nga ai i dituri edhe ai i strukuri në mënyrë që ta mbrojmë dinjitetin e luftës, e çdo pike gjak të derdhur, e çdo plage, të secilit dëshmor, martir dhe invalid, të çdo istikame, të çdonjërës shkrepje, të secilit lot të derdhur nga sytë e nënave tona.

E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njëjtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme.

Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhënjesh ndaj saj ashtu siç bashkë ngadhënjyem në luftën tonë të drejtë.