Universiteti i Tetovës sot me rastin e 26-vjetorit të themelimit të tij, kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, ia ka ndarë çmimin “Doctor Honoris Causa”.
Këshilli që ka vendosur që ky çmim t’i ndahet Ali Ahmetit, vlerësoi se kryetari i BDI-së ka bërë shumë për çështjen kombëtare në vend.
Në fjalimin e tij, Ali Ahmeti tha se është i nderuar për këtë çmim, duke u zotuar se do të punojë për rritjen e cilësisë së arsimit në vend.
“Ky nder që më bëhet mua, ju dedikohet njerëzve që dhanë për hapjen dhe ngritjen e këtij universiteti. Ky nder dhe ky çmim i bëhet Abdylselam Eminit me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij, të gjithë ushtarëve, atdhetarëve e misionarëve, mësuesve dhe pishtarëve të arsimit që mbajtën shpirtin gjallë duke ligjëruar, në terr dhe fshehtësi, për lirinë e munguar dhe për sakrificat e panumërta të popullit tonë”.
“Do të vazhdoj të punoj pa u lodhur për ngritjen e cilësisë dhe vlerave në arsimin shqip. Si dhe në infrastrukturën e universiteteve dhe pajisjen e tyre, pasi jemi në shekull konkurrent dhe sot vetëm me konkurrencë të fortë mund të ecim para. Themelet i kemi ndërtuar, por duhet t’i forcojmë dhe mirëmbajmë, sepse vetëm me dije mund të jemi konkurrent, të denjë, në të gjitha fushat. Unë zotohem që do të më keni partner të fortë për të çuar përpara arsimin, infrastrukturën dhe të ngrisim kuadro, që të na lakmojnë të gjithë”, tha Ahmeti./Telegrafi/