Shefi i diplomacisë italiane, Angelino Alfano, ka siguruar homologun e tij kosovar Behgjet Pacolli, se Italia do të ofrojë mbështetje për rritjen e investimeve dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke thënë se dëshiron që Kosovës t’i jepet një datë në integrimin e saj në BE.
“Jini të sigurt në mbështetjen tonë në gjithçka, në liberalizimin e vizave, integrimin ndërkombëtar, rritjen e investimeve, sepse ne jemi avokati i Ballkanit në përgjithësi, që ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne dhe Evropën, por dhe i Kosovës në veçanti. Ne duam që Kosovës t’i jepet një datë në integrimin e saj në BE. Mbështetja jonë synon forcimin e sovranitetit kombëtar të Kosovës”, tha ministri Alfano.
Ndërsa, shefi i diplomacisë kosovare kërkoi mbështetjen italiane në kuadër të Organizatave Ndërkombëtare, për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, UNESCO, Këshill të Europës, etj.
“Ne i jemi mirënjohës Italisë për gjithçka që ka bërë në fushën ushtarake, ekonomike, arsimore dhe kulturore, ndaj duam ta rrisim praninë italiane në Kosovë”, tha ministri Pacolli.
Në vazhdim, ministri Pacolli e njohu mikpritësin me qëndrimet e tij për dialogun Kosovë-Serbi, për reformat e qeverisë së re, dhe me nevojën e Kosovës për mbështetje në këtë fazë të rritjes së saj si shtet, kur po feston dhjetëvjetorin e pavarësisë./KP/Telegrafi/