Klementin Mile
Gilmani thoshte se dëshironte të largohej nga kjo jetë qetësisht, pa lënë asnjë gjurmë. Por besoj se edhe ai vetë e dinte që kjo dëshirë nuk do t’i plotësohej. Për gjurmët e Gilman Bakallit nuk kanë nevojë vetëm familjarët, miqtë dhe Gilmani thoshte se dëshironte të largohej nga kjo jetë qetësisht, pa lënë asnjë gjurmë. Por, besoj se edhe ai vetë e dinte që kjo dëshirë nuk do t’i plotësohej. Për gjurmët e Gilman Bakallit nuk kanë nevojë vetëm familjarët, miqtë dhe dashamirësit; publiku intelektual dhe shkencor ka nevojë të provokohet dhe tronditet prej ideve origjinale të tij, ka nevojë të dalë prej gjumit dogmatik të fjalëve e të zgjohet në realitetin pragmatik të gjërave.
Gjurma e parë e rëndësishme e Gilmanit mund të shihet në Panairin e Librit të këtij viti. Ajo vjen në formën e një libri studimor për termat kyçë të periudhës së tranzicionit shqiptar, me titullin Alfabeti i tranzicionit: 1990-2016. Bëhet fjalë për një alfabet të mirëfilltë, i cili përmban 36 terma kyçë, që prej “Akuzës” e deri te “Zhurma”. Ky studim motivohet nga shqetësimi se fryma e ndryshimit radikal po përshkon çdo fushë të jetës në Shqipëri, sipas motos “Ajo që i takon “së vjetrës” duhet eliminuar; çdo gjë e re duhet përqafuar dhe vënë në jetë sa më parë”. Por a është e keqe çdo gjë e vjetër dhe a është e mirë çdo gjë e re? Dhe më e rëndësishmja: “A është me të vërtetë e re çdo gjë që paraqitet si e re?”.
Gilman Bakalli na fton në një udhëtim nëpër germat e alfabetit, por ky udhëtim vazhdon përtej kufijve të germave, duke na bërë të dekonstruktojmë konceptet, të qartësojmë simbolet dhe të shohim me sy kritik vlerat e normat tona. Ja katër fjalitë e para të germës ‘A’ – ‘Akuza’: formula magjike. “Në fillim ishte akuza. Pastaj pasoi kundërakuza. Dhe kështu erdhi në jetë politika. Të paktën në Shqipëri”. Ose fjalia e parë e germës ‘B’ – ‘Botoks’: bukuri plastmase. “Me të njëjtën lehtësi që thyejnë ligjet e shtetit, me të njëjtën lehtësi shqiptarët e këtij tranzicioni nuk pranojnë edhe ligjësitë e natyrës”.
E pyeta njëherë Gilmanin për sekretin e shkrimeve të tij. Më tha: “A e ke parasysh atë zyrtarin e kollarisur, me kostum të hekurosur dhe totalisht të sigurt në vetvete? Unë i heq një fije kollares së tij dhe shoh se si reagon, si i ikën siguria dhe se si transformohet”. Kaq e thjeshtë ishte: t’i heqësh një fije kollares së zyrtarit, kostumit të politikanit, fustanit të zonjushës, mjekrës së predikuesit – por vetëm Gilman Bakalli e dinte si bëhej kjo.
Kujtoj një shprehje të preferuar të tij, të huazuar nga filozofi austriak Günther Anders: “Njeriu është më i vogël se vetvetja”. Në pamje të parë enigmatike dhe paradoksale, kjo shprehje ndihmon për të zgjidhur enigmën e sekretit konceptual të Gilmanit. Siç duket nga çka shkruan vetë Gilmani te Alfabeti i Tranzicionit kur trajton germën ‘Nj’ – ‘Njeri’, njeriu mund të identifikohet me perceptimin dhe intuitën që ka, përtej tyre ai nuk ekziston. Nga ana tjetër, vetvetja është krijesë e imagjinatës dhe arsyes, është një shumësi projektesh dhe projeksionesh madhore e parimore që i tejkalojnë kapacitetet njerëzore për t’i realizuar.
Kur Gilmani i hiqte kollares një fije, ai kërkonte të zbulonte njeriun – gjithmonë më të vogël se vetvetja – e strukur nëpër dhomat e pafundme të vetes. Ai e joshte këtë njeri të dilte jashtë, të shfaqej në botë si qenie perceptuese dhe intuitive, duke e çliruar qoftë edhe për një moment nga iluzionet e mëdha të arsyes dhe imagjinatës. Gilman Bakalli na dha njeriun e tranzicionit – të brishtë, të pasigurt, inferior kur shfaqej superior dhe superior kur shfaqej inferior.