BMW M4, Audi RS5 dhe Mercedes-AMG C63 S, të kenë kujdes nga ky italian i egër.
Për një kohë të gjatë, është thënë se prodhuesi italian Alfa Romeo, është duke punuar për prodhimin e një kupeje të re, bazuar në modelin Giulia.
Meqenëse kupetë nuk janë aq të kërkuara në treg, nuk kemi parë asgjë në këtë drejtim.
Por, së fundmi është bërë e ditur nga një burim i paidentifikuar, se po punohet pikërisht në këtë veturë, ku do të integrohet teknologjia e Formula 1, që ka sistem të rigjenerimit të energjisë.
Raportohet se ky sistem nuk do të bazohet në atë që mund të emetohet, por është krejtësisht i fokusuar në përformancën e lartë.
“Motori, sistemi i kontrollit, invertori dhe bateritë, nevojiten të jenë të sistemuara mirë, ndërsa nevojitet edhe një likuid i veçantë që do të ndihmonte në ftohjen, për të rritur përformancën dhe kohëzgjatjen” thuhet mes tjerash për ndërtimin e brendshëm, transmeton Telegrafi.
Sistemi do të funksionojë përmes dy pjesëve, por nuk dihet se me çfarë shpejtësive do të lëvizë. E tëra që dihet është se Giulia në bashkëpunim me F1, do të jetë shumë i fuqishëm, duke i bërë konkurrencë të madhe BMW M4 që ka 454 kuajfuqi, Audi RS5 444 kuajfuqi dhe Mercedes-AMG C63 S 503 kuajfuqi.
Pjesa e përparme dhe e pasme, tavani dhe disa elemente tjera, do të pësojnë ndryshime dhe pritet të punohen me metale shumë të lehta. /Telegrafi/