Site icon Telegrafi

Alexis shënon dy gola, Interi merr fitoren e gjashtë radhazi në Serie A

Interi ka marrë një tjetër fitore në Serie A, derisa ka mposhtur Parmën në udhëtim 1-2.

Për skuadrën e Antonio Contes kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi në Serie A, duke konfirmuar formën fantastike të tyre.

Përkundër rasteve të mira të shënimit, 45 minutat e para nuk sollën gola dhe kësisoj skuadrat shkuan në pushim me rezultat të bardhë 0-0.

Interi e nisi mirë pjesën e dytë, kur në minutën e 54-të Romelu Lukaku asistoi për Alexis Sanchez i cili realizoi për 0-1.

Tetë minuta më vonë, përsëri dyshja ofensive e Interit në aksion për ta dyfishuar epërsinë e zikaltërve.

Lukaku asistoi përsëri, derisa Sanchez shënoi golin e dytë personal në këtë takim, duke i krijuar epërsi komode skuadrës së tij.

Vendasit nuk u dorëzuan dhe ngushtuan rezultatin në minutën e 71-të me autor Hernanin.

Por përkundër përpjekjeve të mëdha të Parmës për ta barazuar rezultatin, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe Inter mori tri pikë të mëdha nga kjo përballje.

Me këtë fitore, Interi vazhdon kryesimin në Serie A me 59 pikë pas 25 ndeshjeve, derisa Parma mbetet në vendin e parafundit në tabelë me vetëm 15 pikë.

Ndeshjen e radhës Interi do ta luaj në shtëpi ndaj Atalantës, derisa Parma do të përballet me Fiorentinën në udhëtim. /Telegrafi/

https://twitter.com/Goal59614291/status/1367584066338508804?s=20

Exit mobile version