Telegrafi

Aleksov: Jam skeptik se aktorët politik do të ulen në tryezë më 31 gusht

“Ajo që ka ndodhur në periudhën e kaluar nuk na jep të drejtë të jemi optimist dhe të themi se aktorët politik do të ulen në tryezë më 31 gusht dhe do të thonë se jemi gati për të shkuar në zgjedhje”. Kështu është shprehur Darko Aleksov, kryetar i Asociacionit qytetar “Most” për REL, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ai gjatë intervistës ka shtuar se këto pretendime i mbështet në faktin se për sfidat që do të dalin nga procesi i zbatimit të marrëveshjes duhet vullnet politik e që ka munguar në të kaluarën.

“Mos ekzistimi i proceseve të pavarura dhe mos ekzistimi i sistemit të përbërë nga institucione të pavarura në masë të madhe krijon një dozë pesimizmi se e gjithë kjo që është pajtuar do të zbatohet në afatin e parashikuar”, ka thënë më tej Aleksov.

Ai po ashtu ka thënë se këtë vit por edhe vite me radhë nuk kemi parë vullnet politik të sinqertë dhe të vërtetë për ndërtimin e sistemit dhe krijimin e proceseve të pavarura.

“Përkundrazi politika është thellësisht e përfshirë në çdo sferë të jetës. Ajo që është me rëndësi dhe që duhet të bëhet në periudhën që vjen, është të fillojmë të ndikojmë mbi sistemin dhe të njëjtin ta ndajmë nga shteti”, ka thënë Aleksov.

Aleksov gjatë kësaj interviste të dhënë për REL ka shprehur skepticizëm se formati i aktual i KShZ do të mund të funksionoj dhe të krijoj Listë Zgjedhore të besueshme./Telegrafi/