Darko Aleksov nga Asociacioni qytetar “Most” duke folur në temën “Zgjedhjet dhe sistemi zgjedhor“ në konferencën në të cilën u prezantua “Propozimi për reformat urgjente demokratike“ ka thënë se fillimisht nevojiten reforma, e pastaj caktimi i datës së zgjedhjeve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Ai e ka prezantuar pjesën e zgjedhjeve dhe ka vënë theksin mbi katër poentat kryesore – vazhdimin e reformave të KShZ, pastrimin e listës zgjedhore, sigurimi i ndarjes së shtetit nga partitë politike dhe zvogëlim të dobësive të procesit zgjedhor.
Sipas Aleksovit, është jashtëzakonisht negativ ndikimi i partive politike në funksionimin e KShZ.
“U përpoqëm me instalimin e tre ekspertëve, por doli se nuk janë të mjaftueshëm, ndërsa kjo është për shkak se nuk kemi procese të veçuara, respektivisht proces të vendimmarrjes në punën e përditshme. Tani kemi nëntë anëtarë të cilët janë gjithçka. Ata që vendosin, ata që zbatojnë, dhe si ato të njëjtit pastaj do të gjejnë ndonjë mangësi në pjesën e zbatimit? Kjo është e pamundur, ky është një konflikt klasik i interesave”, ka thënë Aleksov.
“Anëtarët e KShZ e trajtojnë listën zgjedhore, ndërsa ata nuk janë ekspertë për statistikë dhe matematikë, ata zgjidhen nga radhët e juristëve në Kuvend”, ka shtuar Aleksov.
Për tejkalimin e problemit ai propozon një Sekretar të përgjithshëm i cili do të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Ai po ashtu ka propozuar edhe debat lidhur me modelin zgjedhor./Telegrafi/