(E plotësuar) Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, ka fituar zgjedhjet presidenciale të mbajtura sot në Serbi, duke konfirmuar dominimin e tij në politikën serbe.
Sipas Komisionit Zgjedhor të Serbisë nga 95% të votave të numëruara, kandidati presidencial Vuçiq, ka fituar bindshëm me mbi 56 për qind të votave, ndërsa rivali i ri kryesor Sasha Jankoviq ka siguruar vetëm 15.60% të votave.
Në zgjedhjet presidenciale në Serbi, të drejt vote kanë pasur 6.724.949 votues të regjistruar.
Zgjedhjet janë mbajtur edhe në disa qendra në Kosovë, kryesisht në qendrat e votimit në veri të vendit, ku procesi zgjedhor është cilësuar pa incidente.
Votuesit serbë votuan për 11 kandidatë./Telegrafi/
(E plotësuar) Aleksandar Vuçiq e ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në Serbi, duke thënë se ka fituar 12 për qind më shumë vota se të gjithë kundëkandidatët e tjerë bashkë, në garën për president.
Ai ka deklaruar se për të votuan më shumë se dy milionë votues.
“Jam shumë krenar ne faktin se kemi fituar besimin e dy milionë e 35 mijë personave, nga gjithsej tre milionë e 700 mijë sa votuan”, tha Vuçiq në një konferencë për media.
“Edhe njëherë e falënderoj Tomislav Nikoliqin që e ka përkrahur Qeverinë e Serbisë, duke e bërë këtë atëherë kur pak kush e ka pritur dhe kur nuk kishte kurrëfarë levërdie politike ta bëjë këtë. E rëndësishme është se qytetarët kanë dhënë mesazh se duan të shkojnë përpara, më shpejt dhe më mirë”, tha Vuçiq, në adresimin e tij.
“Fitorja është e pastër si loti”, tha presidenti i ri i Serbisë. /Telegrafi/
Agjencia britanike e lajmeve Reuters, duke u thirrur në rezultatet preliminre, ka njoftuar se kryeministri serb Aleksandar Vuçiq, ka fituar bindshëm në zgjedhjet presidenciale në Serbi.
Edhe agjencia e lajmeve italiane ANSA, duke u thirrur në të dhënat prelimianare të Ispos, ka dhënë lajmin për fitoren e Vuçiqit, raporton agjencia serbe “Tanjug”, transmeton Telegrafi.
Sipas organizatës për monitorimin e zgjedhjeve CESID, Vuçiq ka fituar më shumë se 50% të votave.
Aktualisht, pas 77% të votave të numëruara, Vuçiq ka 55.9% të votave. CESID thotë se deri në fund të numërimit kjo përqindje do të zvogëlohet, por jo aq sa të bie nën 50%.
I dyti është Sasha Jankoviq, ish-Avokati i Popullit, me 15.4%, kurse i treti Luka Maksimoviq – “Beli Preletaçeviq” (kandidati sarkastik) me 9.4%, ndërsa i katërti Vuk Jeremiq me 5.8%. /Telegrafi/