Telegrafi

Alec Baldwin paraqitet në gjykatë dhe deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për sulm fizik

Alec Baldwin (Foto: Kevin Winter/Getty Images/Guliver)

Alec Baldwin është paraqitur në Gjykatën Supreme në Manhattan, i rrethuar nga forcat policore nga departamenti lokal.

Aktori akuzohet për sulm dhe ngacmim për shkak të një incidenti të ndodhur më 2 nëntor të këtij viti.

Ylli hollivudian është përleshur me një person, i cili ia kishte zënë vendparkimin, edhe pse Baldwin ishte duke pritur për t’u parkuar.

60-vjeçari i ka mohuar akuzuar se e ka sulmuar personin në fjalë, edhe pse më pas janë publikuar disa fotografi, ku ai shihet duke u kapur me një mashkull.

Lexo po ashtu Lajmet për Alec Baldwin

Në ndërkohë, pas paraqitjes në gjykatë, prokurorët i kanë tërhequr akuzat dhe aktori është deklaruar i pafajshëm.

“Z. Baldwin është një figurë publike, reputacioni i të cilit është dëmtuar nga raportimet në media që thoshin se ai e ka goditur një burrë në një rrugë të New Yorkut”, ka thënë avokati i tij, Alan Abramson.

Avokati më tej ka theksuar se ekziston një video, ku shihet se aktori nuk e ka goditur në asnjë moment personin që ka ngritur akuzë dhe se ai nuk ka bërë kurrfarë krimi.

Personi i identifikuar si Wojciech Cieszowski i ka thënë policëve se Baldwin i kishte rënë me shuplakë, gjë që konsiderohet si vepër më pak serioze.

Derisa pritet vendimi i gjykatës, aktori ka thënë se akuzat ndaj tij janë të rrejshme. /Telegrafi/