Telegrafi

“Aleatët ndërkombëtarë duan arritjen e një marrëveshje me Serbinë”

Në Prishtinë gjatë ditës së djeshme kanë qëndruar dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson. Vizita e tyre rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së ndaj procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimeve që kanë zhvilluar me përfaqësuesit politikë në Kosovë, dy senatorët në një konferencë për media treguan së duan normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata pohuan së marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kërkon sakrificë nga të dyja palët.

Lidhur me vizitën e dy senatorëve amerikanë në Kosovë dhe kërkesave të tyre për dialog, është deklaruar Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Ajo tha se aleatët ndërkombëtarë janë të interesuar që të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.

“Jemi duke parë në vazhdimësi që aleatët tanë ndërkombëtarë janë duke kërkuar që palët t’i rikthehen dialogut Kosovë-Serbi, në rrjedhën e diskutimeve dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Kemi parë javën e kaluar deklaratën e shteteve të Quintit, pamë që shtetet e SHBA-së emëruan një të dërguar të posaçëm për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer, po ashtu edhe qëndrimin e deputeti gjerman Peter Beyer. Të gjithë janë duke dërguar kërkesa palëve që t’i rikthehen sa ma parë tryezës së bisedimeve dhe sa më shpejtë të arrijnë një marrëveshje. Nga deklaratat po shohim se të gjithë po kërkojnë nga palët që të jenë afër një zgjidhjes, deklaroi ajo për Telegrafin.

Jeta Krasniqi, Instituti Demokratik i Kosovës

Krasniqi tha se marrëveshja e arritur me Serbinë, duhet t’i mbrojë interesat shtetit të Kosovës.

“Ne si shoqëri civile duam që palët t’i kthehen dialogut dhe të arrihet një marrëveshje, por duam që të insistojnë që kjo marrëveshje të mbrojë interesin e shtetit të Kosovës dhe vendi të jetë në një gjendje më të mirë se sa në gjendjen që është tash.

Ndryshe dy senatorët Murphy dhe Johnson pritet të vizitojnë edhe Serbinë, ata thanë se do t’i përcjellin mesazhet e njëjta që i dhanë në Kosovë.

Theksojmë se para pak ditësh  shtetet e Quintit, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja.

Në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkohet nga të dyja palët që të shmangin veprimet që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës.

Ne dëshirojmë të shohim që njerëzit e Kosovës dhe të Serbisë të përfitojnë nga paqja e qëndrueshme dhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në çfarëdo mënyre”, thuhej në deklaratën e shteteve të Quintit./Telegrafi/